Me një fitore të dyfishtë në pistën amerikane të Austin, motori Aprilia rikthehet të dominojë këtë sezon në botërorin e MotoGP. Piloti italian Marco Bezzecchi fitoi garën e tretë sezonale, i padiskutueshëm deri më tani, duke udhëhequr renditjen e botërorit.
Pas gabimit të së shtunës në garën sprint, këtë herë italiani dominoi në pistë, duke u shkëputur. Në vendin e dytë u rendit shoku i tij i skuadrës, spanjolli Jorge Martin. Podiumi kompletohet edhe me spanjollin tjetër Pedro Acosta, i treti me motorin KTM.
Vijon të vuajë këtë sezon motori Ducati, në vendin e katërt me italianin Fabio di Giannantonio me motorin VR46, ndërsa kampioni i botës në fuqi, spanjolli Marc Marquez, u rendit i pesti. Bagnaia, që të shtunën dominoi në sprint, këtë herë doli i dhjeti në garë.








