Aprilia bën ligjin në Tajlandë, Bezzecchi triumfon në garën e parë, probleme për Marquez dhe Ducati

1 Mars 2026
9:46
Telesport
back button

Piloti italian i Aprilia, Marco Bezzecchi, fitoi ditën e diel garën e Cmimit të Madh të Tajlandës në MotoGP, gara e parë sezonale, zhvilluar në pistën e Burinam. Një garë e dominuar nga Bezzecchi, që e nis mbarë sezonin e ri.

Në vendin e dytë u rendit spanjolli Pedro Acosta me KTM, që falë edhe triumfit në garën sprint ditën e parë, ka marrë kreun e renditjes së përgjithshme. Në podium u ngjit edhe spanjolli Raul Fernandez, i treti me Aprilia Trackhouse.

Duket se motori Aprilia (4 pilotë në 5 vendet e para) do të konkurrojë Ducati këtë vit, që e ka nisur jo mirë sezonin. Kampioni i botës në fuqi, Marc Marquez, u detyrua të braktisë garën 5 xhiro nga fundi, pas një problemi me gomën e pasme.

Një xhiro më vonë u tërhoq edhe vëllai i tij Alex Marquez (Ducati Gresini), që u rrëzua. Në vendin e katërt u rendit spanjolli Jorge Martin me Aprilia dhe në të pestin japonezi Ai Ogura me Aprilia Trackhouse.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit