Janë luajtur ndeshjet e javës së 19-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Besëlidhja kampione vijon të dominojë e pamposhtur renditjen pas fitores 95-70 ndaj Vllaznisë rivale, një përballje mes dy ekipeve më të mira këtë sezon.
Një ndeshje me rivalitet për 30 minuta (67-65), por në cerekun e fundit lezhjanët shkëputen dhe bëjnë diferencën në fushë. Eldi Hysa me 19 pikë ishte më i mirë për Besëlidhjen, që tashmë nis shkëputjen në renditje, duke menduar për fazën play off.
Pa probleme fiton Tirana, që mundi thellë 136-70 Partizanin në derbin kryeqytetas, luajtur në “Asllan Rusi“. Një ndeshje në drejtim unik, komanduar nga bardheblutë, ku u dallua Massie me 30 pikë, ndërsa 25 pikët e Bisheva për të kuqtë mbetën për statistikë.
Në Fier, skuadra e Teutës arriti një fitore të vështirë 90-88 ndaj Fieri Basket. Një ndeshje e ekuilibruar, vendosur pas kohës shtesë. Farr me 24 pikë ishte shënuesi më i mirë për durrsakët, ndërsa për fierakët nuk mjaftuan 60 pikët e dyshes Green-Brando.
Në Korcë, skuadra e Skënderbeu mundi 82-69 Kamza Basket, ndeshje ku u dallua Roy Linton, autor i 28 pikëve. Në Pogradec, ekipi vendës mundi 95-76 Flamurtarin (Granzan 30 pikë), sukses që e ka larguar skuadrën liqenore nga vendi i fundit në renditje.
Nuk zhgënjen Apolonia, që në fushën e saj mundi 91-62 Elbasanin, ndeshje ku epërsia e skuadrës fierake ishte e ndjeshme. Ademokoya me 20 pikë u dallua për vendasit, që qëndron në zonën play off, aty ku gara për një vend në katërshe është e fortë.
Superliga-Meshkuj, java 19-të
Pogradeci – Flamurtari, 95-76
Skënderbeu – Kamza Basket, 82-69
Fier Basket – Teuta, 88-90
Partizani – Tirana, 70-136
Besëlidhja – Vllaznia, 95-70
Apolonia – Elbasani, 91-62
Renditja: Besëlidhja 36 pikë, Vllaznia 34 pikë, Tirana 33 pikë, Apolonia 32 pikë, Teuta 32 pikë, Kamza Basket 30 pikë, Skënderbeu 28 pikë, Elbasani 24 pikë, Fieri Basket 23 pikë, Pogradeci 22 pikë, Partizani 21 pikë, Flamurtari 21 pikë.







