Besëlidhja mposht Teutën edhe në finalen e dytë, hedh një hap tjetër drejt titullit kampion

18 Maj 2024
19:54
Telesport
back button

Besëlidhja fitoi sot në mbrëmje 91-75 ndaj Teutës në finalen e dytë play off në basketboll për meshkuj, duke udhëhequr 2-0 serinë. Ndeshja e luajtur në Durrës u dominua gjatë gjithë kohës nga lezhjanët, që e merituan fitoren, që i afrohen edhe më shumë titullit kampion.

Besëlidhja krijoi një avantazh të lehtë që në periodën e parë (21-18) dhe e thelloi epërsinë me kalimin e minutave. Gjysma e parë e takimit u mbyll 42-35 për Besëlidhjen, që nuk e ul ritmin as në gjysmën e dytë të takimit, edhe pse Teuta arrin për një moment të afrohet e rikuperojë.

Gjithsesi, lezhjanët arrijnë të rikthehen protagonistë, duke u shkëputur e më pas e administruan avantazhin deri në fund. Gjithë takimi u mbyll 91-75 për Besëlidhjen, që sfidën e radhës do ta luajë në kryeqytet (shtëpia e saj). Hamati me 19 pikë ishte shënuesi më i mirë për Besëlidhjen, ndërkohë që nga lojtarët e stolit erdhën 40 pikë.

Për Teutën u dalluan Memcaj me 20 pikë e Small me 18 pikë, por të pambështetur sa duhet nga pjesa tjetër e ekipit. Këtë sezon, skuadra kampione shpallet ajo që fiton 4 nga shtatë ndeshjet finale play off, pra ka ende rrugë të gjatë për t’u bërë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit