Bomber i pandalshëm, Bakaj udhëheq suksesin e Shakhtyor (VIDEO)

12 Gusht 2019
22:24
back button

Ish-ylli i Superligës Shqiptare, Elis Bakaj, vijon të përjetojë momentin e tij fantastik në Bjellorusi, aty ku nuk ndalet së shënuari në kampionat, duke ruajtur cilësitë e liderit dhe protagonistit kryesor.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë kësaj të hëne, kur futbollisti 32-vjeçar, në fitoren 6-0, i ka dhënë avantazhin skuadrës së Shakhtyor Soligorsk ndaj Neman që në minutën e 7’, falë një penalltie të fituar prej tij dhe të shndërruar në gol po nga vetë Bakaj.

Kontributi i Bakajt nuk është ndalur aty, pasi sulmuesi shqiptar ishte protagonist edhe në golin e katërt të skuadrës së tij, kur ka dhënë asistin perfekt nga e djathta e sulmit, që më pas u transformua në gol nga Yanush në minutën e 45’.

Kjo ndeshje ishte e vlefshme për javën e 15-të kampionatit bjellorus, aty ku Shakhyor Soligorsk, renditet në vendin e tretë, në kuotën e 34 pikëve, 8 më pak se Brest i vendit të parë, që ka luajtur dy ndeshje më shumë se ekipi ku aderon Bakaj. Ky i fundit numëron plot 7 gola të realizuar në 13 ndeshje të luajtura këtë sezon.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit