Botërori 2026, formula e re nuk është bindëse: ja propozimi i ri

4 Mars 2023
16:07
Denis Hakanaj
back button

FIFA është gati të ndryshojë formatin e Botërorit 2026, i cili do të luhet mes Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë. Fillimisht, me zgjerimin në 48 ekipe, turneu pritej të luhej në fazën fillestare me 16 grupe me nga tre kombëtare.

Megjithatë, siç raporton BBC, entuziazmi i krijuar nga turneu i nëntorit të kaluar në Katar, kur disa grupe u vendosën në ndeshjet e fundit, e bëri FIFA të tërhiqet.

Prandaj vendimi do të jetë rikthimi në grupet klasike me katër skuadra. Megjithatë, konfirmimi zyrtar duhet të arrijë në mbledhjen e këshillit të FIFA-s të planifikuar në Ruandë më 16 mars.

Sipas prestigjiozes BBC, ka marrëveshje që formati me katër ekipe duhet të ruhet. Kjo, megjithatë, me kusht që koha e koompeticionit të mos zgjatet tepër.

Edhe presidenti i Concacaf Victor Montagliani ka dashur të komentojë ndryshimin e mundshëm. “Grupet me tre skuadra dukeshin si një ide e mrekullueshme, por ka disa probleme.

“Është e drejtë që një ekip të kualifikohet për një Kupë Bote dhe një e treta e ekipeve të shkojnë në shtëpi pas dy ndeshjeve? Ne duhet të jemi përgjegjës. Ka pasur një numër të caktuar ditësh në 2014 dhe 2018 dhe nuk mund të shkojmë më tej. Nuk mund të kemi një Kupë Bote tre mujore”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit