“Unë drejtor i ri sportiv te Milani? Ju siguroj se e kam Milanin në zemër. Ta shoh Milanin në vështirësi, më vjen keq, nëse do të mund ta ndihmoja, do ta bëja. Kam bërë gabime, por kam edhe përvojë, e cila nuk blihet dot. Gjithmonë forca Milan!” Kështu u shpreh Ariedo Braida, ish-drejtor sportiv dhe gjeneral i Milanit, në emisionin “La Politica nel Pallone”.
“Ka qenë një kampionat i luhatshëm, dukej se Milani mund të rikthehej në garë për titullin, por në momentin vendimtar nuk e bëri atë hapin përpara. Kësisoji, ishte një sezon për t’u harruar, – shtoi ai. – I uroj ta fitojë Kupën e Italisë, që është një trofe i mirë.
Sidoqoftë, në kampionat Milani nuk arriti të jetë konkurrues. Nuk ia doli, edhe pse ka një skuadër të shkëlqyer, që sipas mendimit tim ka nevojë për përmirësime. Sezonin e ardhshëm, me disa ndërhyrje të zgjuara, mund të bëhen gjëra interesante”.







