Briken Calja zhgënjen në stilin e shkëputjes, medalja e artë i shkon Qerimajt

31 Maj 2022
21:02
Telesport
back button

Surpriza në Europianin e shtangës që po zhvillohet në Tiranë. Teksa të gjithë prisnin triumfin e Briken Calja në peshën 73kg, medaljen e artë në stilin e shkëputjes e ka fituar Erkand Qerimaj, që pat garuar disa orë më parë, në Baterinë B. Ai përfitoi nga gabimet e mjaft kundërshtarvëve që garuan në Baterinë A, përfshi edhe Calen, për të marrë medaljen e artë.

Ndërkohë, aventura e peshëngritësit Briken Calja në Europianin e shtangës ka nisur keq. Ai nuk ka realizuar asnjë nga tri provat që kishte në dispozicion në stilin e shkëputjes, në peshën 73kg, duke mos dhënë rezultat as në dygarësh. Calja garoi në Baterinë A dhe ishte pretendenti kryesor për medalje, por nuk ia doli dot mbanë.

Ai ishte i fundit nga peshëngritësit që u ngjit në pedanë dhe në të trija provat synoi të ngrejë 151kg, por pa sukses. Një paraqitje jo e mirë e shtangistit kuqezi, duke mos kapur dot medaljen. Gjithsesi, ajo i shkoi shtangistit tjetër kuqezi, Erkand Qerimaj, që pat garuar pak orë më parë në Baterinë B. Në këtë stil, Qerimaj ngriti 150kg, duke marrë kështu medaljen e artë.

Nje medalje disi e papritur kjo për shkodranin, që kap podiumin në stilin e shkëputjes i ulur nga shkallët e sallës sportive “Feti Borova”. Pas pak do të nisë konkurrimi i Baterisë A të peshës 73kg në stilin e shtytjes, ku pritet që Calja të jetë protagonist, duke synuar të paktën një medalje në këtë stil. Ndërsa Qerimaj, në këtë stil nuk dha asnjë rezultat në konkurrimin e tij, por shkodrani do të varë të artën e stilit të shkëputjes.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit