Buffon “bekon” Tudor në stolin e Juventusit: Titulli? Kalendari i ngjeshur e penalizon Interin

3 Prill 2025
9:00
Alfred Lleshi
back button

Kur Buffon flet për Juventusin, fjalët e tij kanë peshë të madhe. Pak veta e njohin ambientin bardhezi aq mirë sa Gigi, ndaj vlerësimi i tij për Igor Tudor merr një rëndësi të veçantë. Ish-portieri legjendar e ka mirëpritur ardhjen e teknikut kroat në pankinën e Juves: “Igor është dikush që e njeh shumë mirë ambientin, ka energji për të transmetuar dhe në këtë moment skuadra bardhezi kishte nevojë për këtë nga trajneri”.

Sa i përket të ardhmes së projektit me Tudor, ish-portieri i shquar mbetet i kujdesshëm: “Për të ardhmen, le të presim”.

Durimi është një aspekt që Gigi e ka theksuar edhe më parë, si në rastin e Thiago Motta, kur sugjeroi të pritej deri në fund të sezonit për të parë nëse ish-trajneri i Bologna mund të surprizonte në mënyrë pozitive.

Duke folur për qytetin që e ngriti në majat e futbollit botëror, Buffon komentoi edhe garën e mbijetesës së Parmës: “Parmalatët do ta diskutojnë mbijetesën në Serie A me Lecce. Shoh një ekip të vetëdijshëm për objektivin e tij. Nuk është më aq i ekspozuar në sulm, por duket më i ekuilibruar, gjithmonë i pranishëm në lojë, pa momente paniku. Rezultatet e fundit e mbajnë në garë për të mbijetuar. Kalendari është i vështirë, por Parma kundër ekipeve të mëdha gjithmonë ka bërë mirë dhe ka marrë pikë”.

Në lidhje me garën për titull, Buffon vazhdon të mbajë të njëjtin mendim që kishte shprehur qysh në korrik 2024: “Që nga vera e kaluar kam thënë se Napoli do të jetë i pari ose i dyti, duke marrë si të mirëqenë se Interi është ekipi më i fortë dhe do të përfundojë i pari ose i dyti. Kalendari i ngjeshur i Interit, me ndeshje të rëndësishme çdo tri ditë, mund të ndikojë negativisht te zikaltrit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit