Pas humbjes në minutat e fundit në Champions League kundër Atlético Madrid, skuadra e Inter u rikthye në stërvitje në Appiano Gentile për t’u përgatitur për ndeshjen e së dielës kundër Pizës. Skuadra e Christian Chivu duhet të kapërcejë shpejt humbjen në derbi të së dielës së kaluar për të rifilluar ndjekjen e kryesimit në Serie A.
Pavarësisht një jave të vështirë, trajneri i zikalttërve mund të jetë i lumtur, pasi disa lajme të mira kanë ardhur nga infermieria. Lajmi më i mirë është padyshim ai në lidhje me Henrikh Mkhitaryan. Armeni u lëndua më 25 tetor në Napoli. Ai u rikthye në stërvitje me grupin dhe do të vlerësohet midis të premtes dhe të shtunës për të përcaktuar nëse do të jetë i përshtatshëm për t’u aktivizuar të dielën.
Stafi mjekësor i Inter do të vazhdojë me kujdes duke pasur parasysh rëndësinë e mesfushorit dhe ndeshjet e ardhshme. Pas Pizës, ata do të përballen me Venezia në Kupën e Italisë, Como në Ligë dhe Liverpool në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu, Piotr Zielinski dhe Yann Bisseck do të jenë në dispozicion të Chivu.
Të dy nuk raportuan probleme fizike pas udhëtimit në Madrid dhe u stërvitën me pjesën tjetër të ekipit. Gjendja e Denzel Dumfries po përmirësohet gjithashtu: holandezi do të monitorohet për të përcaktuar nëse mund të kthehet midis ndeshjeve kundër Como dhe Liverpool ose midis Liverpool dhe Genoa.







