Çiklisti italian Gabriele De Fabritis është shpallur fituesi i etapës së parë të Turit të 82-të Çiklistik të Shqipërisë (Tiranë-Rrëshen-Shkodër, e gjatë 151km). Italiani që përfaqëson Shqipërinë, mbërriti i parë në finishin e vendosur në Shkodër pas 3h12’57”.
Në vendin e dytë, dy sekonda pas De Fabritis ka ardhur holandezi Den Koter dhe 19 sekonda më vonë një tjetër përfaqësues i Shqipërisë, Xhuljo Kamberaj, që u rendit i treti. Ndërsa shpejtësia mesatare e kësaj etape ishte 47.1km/orë.
Etapa e parë, që çeli turneun, nisi nga sheshi Skënderbej, ku u prezantuan 15 skuadrat pjesëmarrëse dhe 86 çiklistët garues. Për t’u veçuar se gjatë kësaj gare, Ognjen Iliç fitoi finishin e parë të ndërmjetën, ndërsa Marko Stankoviç fitoi atë të dytë.
Kështu, pas përfundimit të etapës hapëse, De Fabritis është mbajtësi i fanellës së verdhë të liderit si dhe asaj të bardhë si i riu më i mirë i këtij Turi. Ndërkohë që, sot do të zhvillohet etapa e dytë, Shkodër-Elbasan, 188km e gjatë.
Turi Çiklistik 2025
26 maj, Tiranë-Rrëshen-Shkodër, 151km, Gabriele De Fabritis, 3h12’57”
27 maj, Shkodër-Elbasan, 188km
28 maj, Elbasan-Vlorë, 149km
29 maj, Vlorë-Himarë-Vlorë, 153km
30 maj, Vlorë-Fier, 122km







