Roberto De Zerbi do të jetë trajneri i ri i Marsejës. Këtë e ka bërë të ditur vetë klubi transalpin, i cili megjithatë nënvizon se njoftimi zyrtar do të arrijë së shpejti: “Olympique Marseille njofton se ka arritur një marrëveshje në parim me Roberto De Zerbi”.
“Klubi aktualisht është duke punuar me të gjithë të interesuarit për të zyrtarizuar ardhjen e trajnerit italian, si dhe të stafit të tij, në stolin e Olympic Marsejë dhe të përgatisin ardhjen e tij në Marsejë në ditët në vijim”, thuhet më tej në deklaratë.
De Zerbi do të nënshkruajë një kontratë trevjeçare, e cila skadon më 30 qershor 2027. Brighton duhet të marrë një kompensim prej rreth 6 milionë euro për mbylljen e parakohshme të kontratës me trajnerin italian.
Për trajnerin nga Brescia, kjo është eksperienca e shtatë në stolin e një klubi profesionist pas atyre me Foggia, Palermo, Benevento, Sassuolo, Shakhtar dhe sigurisht Brighton. Skuadra franceze e mbylli në vendin e tetë sezonin e kaluar në Ligue 1.







