Mesfushori i Juventusit, Douglas Luiz ka folur në mikrofonat e “Sky” pas suksesit 2-1 ndaj PSV-së, në ndeshjen e parë të “play-off”-it të Champions League.
Fitore e rëndësishme: “Po, fitorja ishte gjëja më e rëndësishme për ne. E dinim se po luanim kundër një ekipi të ri, që vrapon shumë, duhet të vazhdojmë kështu. Tashmë kemi një avantazh prej një gol dhe duhet ta shfrytëzojmë atë. Kur të luajmë sërish në ndeshjen e kthimit do të duhet të kemi dëshirë për të fituar”.
Ndeshja për të, në planin personal: “Ishte e vështirë, nuk kisha luajtur 90 minuta për një kohë të gjatë, por mendoj se kam dhënë kontributin tim. Në fillim kam pasur vështirësi, por jam i lumtur që luaj këtu. Dua të përfitoj nga ky moment dhe të vazhdoj të luaj sa më shumë”.
Pse ka vuajtur për t’u integruar te Juventusi: “Këtu gjeta një lloj tjetër futbolli. E dija që Seria A është po aq e komplikuar sa Premier League, por ka aspekte të tjera që kanë ndikuar në përshtatjen time. Sidoqoftë, jam i lumtur me klubin, trajnerin dhe shokët e skuadrës, dua të vazhdoj këtu dhe të jap më të mirën”.







