Duka, presion kombëtares dhe Sylvinho: Koha e humbjeve dinjitoze ka mbaruar, vlen vetëm kualifikimi

30 Mars 2023
10:57
Alfred Lleshi
back button

Pati shumë eufori para ndeshjes së 27 marsit në Varshavë, e vlefshme për fushatën kualifikuese të “Euro 2024”. Për të rritur adrenalinën u angazhuan edhe artistët në një darkë festive, që të pozonin me fanellat e kuqezinjve. Madje, fanella e re e kombëtares përfundoi edhe në BBV Albania 2… E megjithatë, starti ishte negativ për kombëtaren e Shqipërisë, e drejtuar për herë të parë nga trajneri Sylvinho dhe stafi i tij.

Një gol bëri diferencën në favor të Polonisë, ndërkohë që loja e tanëve ishte e mirë. Sidoqoftë, loja e mirë pa rezultatin nuk ka asnjë vlerë. Këtë gjë e përforcon qartë presidenti i FSHF-së, kur ia bën të qartë stafit teknik se koha e humbjeve dinjitoze ka përfunduar tashmë. Duhet medoemos kualifikimi në “Gjermania 2024”. Në një intervistë për faqen zyrtare të FSHF-së, Armand Duka do të nënvizonte:

President, nisëm në Varshavë kualifikueset e Europianit “Gjermania 2024”. Si e patë ju këtë debutim të skuadrës dhe trajnerit Sylvinho?
E nisëm këtë rrugëtim kualifikues ndaj skuadrës së renditur si kokë grupi. Sigurisht që e dinim që do të ishte një ndeshje e forte, por kishim përgatitur gjithҫka për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë. Për lojën e zhvilluar dhe atë që dhamë në fushën e lojës duhet të kishim marrë diҫka më shumë, por kjo nuk ndodhi. I përgëzoj lojtarët, ashtu si edhe stafin teknik për impenjimin e treguar, por koha e humbjeve dinjitoze është e tejkaluar. Ne kurrsesi nuk mund të kënaqemi me një humbje të tillë. Duhet të rritemi, të punojmë më shumë dhe të jemi më me këmbë në tokë. Duhet ta kuptojmë të gjithë, ne, ekipi dhe stafi drejtues që kemi humbur në Varshavë.

Siҫ e thatë edhe ju, skuadra dha sinjale pozitive. Ku mendoni se duhet fokusuar më shumë puna e stafit teknik?
Nuk mund të hyj në aspekte teknike. Do gaboja nëse do ta bëja diҫka të tillë. Sigurisht që është detyrë e stafit teknik ta analizojë në mënyrën më të mirë këtë ndeshje të parë eliminatore dhe të nxjerrë konkluzionet e duhura se ҫfarë shkoi mirë dhe se ku do duhet të fokusohemi për t’u përmirësuar dhe parë atë skuadër që të gjithë ne duam. Për të fituar një ndeshje dhe për të arritur objektivat e rëndësishëm duhet ta ҫosh topin në rrjetë, duhet të konkretizosh rastet e krijuara. Ne këtë nuk po e bëjmë dhe në të tilla nivele e dimë të gjithë se vlejnë pikët më shumë sesa kujtimi i një ndeshjeje të tillë. Të gjithë duhet të bëjmë diҫka më shumë.

Dy muaj pauzë dhe rikthehemi me dy ndeshjet “normale” ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe…
Qershori na rikthen në shtëpi me ndeshjen ndaj Moldavisë dhe transfertën e Ishujve Faroe. Dy ndeshje shumë shumë të vështira. Do të kemi përballë një Moldavi krejt tjetër nga ajo e tri viteve më parë, kjo u pa edhe në ndeshjen që luajtën me Republikën Ҫeke. Moldavët janë shumë të organizuar, një skuadër e vendosur mirë në fushë dhe shumë e kujdesshme. Duhet të zbresim në fushën e lojës të karikuar për të arritur fitoren. E njëjtë edhe për transfertën e Torshavnit, është një nga kundërshtarët më të vështirë në fushën e vet. Moldavia e tregoi forcën e vet ndaj Ҫekisë, ashtu si Ishujt Faroe pak muaj më parë kur mundën Turqinë në shtëpi. Intensiteti, përkushtimi dhe përqendrrimi do duhet të jenë maksimalë. Dy ndeshjet e qershorit janë më të rëndësishmet për ne. Nëse gabojmë largohemi nga objektivi.

Pasi keni një panoramë më të qartë të grupit tonë kualifikues, a është i arritshëm objektivi kualifikim sipas jush?
Ne jemi totalisht në lojë dhe objektivi ynë mbetet i pandryshuar: kualifikimi. Kemi përpara 7 finale. Janë 7 ndeshje ku duhet të tregohemi perfektë në ҫdo aspekt; të marrim maksimumin në ҫdo ndeshje. Nuk lejohen hapat falsë. Duhet të luftojmë për ҫdo pikë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe padiskutim që objektivi ynë do të realizohet. Skuadra i ka cilësitë, stafi teknik është shumë i impenjuar për të bërë më të mirën, ashtu si edhe dederata. Opinioni publik dhe mediat e kanë mbështetur kombëtaren dhe do të vazhdojnë ta bëjnë.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit