Ronaldinho do të rikthehet të luajë futboll në moshën 46-vjeçare. Legjenda braziliane ka arritur marrëveshje me Ravenna, klub që militon në Serie C. Zyrtarizimi dhe të gjitha detajet do të prezantohen më 23 qershor në Miami.
Ronaldinho deklaroi: “Ngjyra të reja, e njëjta buzëqeshje. Mezi pres të rikthehem të kërcej me topin për të shkruar një histori të re së bashku me Ignazion dhe gjithë familjen Cipriani. Futbolli ka qenë gjithmonë burim gëzimi për mua dhe dua ta sjell të njëjtin shpirt në Ravenna”. Sipas raportimeve, ai do t’i bashkohet skuadrës gjatë fazës përgatitore verore.
Presidenti Ignazio Cipriani u shpreh: “Kam jetuar 24 vjet në SHBA, por Ravenna mbetet shtëpia ime. Të afrojmë Ronaldinhon është diçka e jashtëzakonshme për klubin. Ai ka qenë idhulli im dhe ndikimi i tij në futboll shkon përtej asaj që ka bërë në fushë”.
Zërat për këtë bashkëpunim nisën në dhjetor, kur Ronaldinho u fotografua me shallin e Ravenna. Tashmë ato janë konfirmuar. Përveç regjistrimit si lojtar dhe disa paraqitjeve në fushë, braziliani do të blejë edhe aksione të klubit, ndërsa Ravenna do ta nderojë me një detaj të veçantë në fanellën e sezonit të ri.
🟡🔴 Ronaldinho avec une écharpe du Ravenna, club de Serie C 🤨🇧🇷 pic.twitter.com/UsNQ90uwZc
— Actualité – Serie A (@ActualiteSerieA) December 13, 2025







