Zëvendës-trajneri i Kombëtares, Hamdi Salihi, ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, teksa foli për listën e futbollistëve të grumbulluar nga Silvinjo në prag të Euro 2024.
Ish-bomberi shkodran, në analizën e tij deklaroi se Abrashi është ftuar për grintën, ndërkohë që për Hoxhën u shpreh se stafi ka kohë që e ndjek. Ish-sulmuesi i Kombëtares gjithashtu u ndal edhe te surpriza më e madhe që është mesfushori i Leçes, Medon Berisha.
Për këtë të fundit, Salihi thotë duke qeshur se Alban Bushi do t’i vrasë stafin e Kombëtares A, për shkak se Berisha është kapiten i Shpresave dhe mungesa e tij do ia vështirësojë punën për ndeshjet e muajit qershor.
“Ndoshta nuk del asgjë nga ajo ç’ka menduar Silvinjo, por ai e bën një plan në kokën e vet si mund të shkojë Europiani. Abrashi është një lojtar që ka një shpirt ka një sakrificë të jashtëzakonshme.
Pranon çdo pozicion në fushë, pankinë apo tribunë dhe është inspirim për lojtarët e rinj. Pasi mori pasaportën shqiptare, Arbër Hoxha u grumbullua dhe ne kemi kohë që e ndjekim. Përveç Hoxhës është edhe Medon Berisha, kapiten i Shqipërisë U21. Mendoj se Alban Bushi do të na vrasë, pasi kishte edhe ai ndeshje për vete.
Mendon Berishën kemi 1 vit që e ndjekim. Luan me Leccen dhe ndeshjet e fundit ka marrë minuta të plota. Është munduar trajneri që Shqipëria të ketë disa lojtarë të rinj.
Simoni është një portier jashtëzakonisht i mirë, me parametra shumë të mirë për moshën që ka. Shqipëria dhe në të ardhmen, se do mbarojë Europiani, do fillojmë prapë. Pika më e dobët, ndoshta ajo që i ruhem unë gjithmonë janë ditët pas një rezultati të mirë”, është shprehur, Hamdi Salihi.







