Arslanbek Makhmudov e ngriti hopa Tyson Fury me një përqafim si ariu kur të dy u përballën në konferencën e tyre të fundit për shtyp të enjten. Fury e priti me humor të mire këtë gjest, pasi më herët i kishte bërtitur dhe e kishte gudulisur rivalit, përpara se kundërshtari i tij ta ngrinte në ajër.
Fury është i vendosur të fillojë një sulm drejt bërjes kampion bote në peshën e rëndë për të tretën herë këtë fundjavë kur të ndeshet me Makhmudov. Britaniku është rikthyer nga një pension i shkurtër, për të boksuar për herë të parë që nga humbja e revanshit ndaj Oleksandr Usyk, në dhjetor 2024.
Për të, kjo është faza e parë e misionit të tij për të rimarrë një titull bote. “Për herë të parë në përjetësi, unë jam gjuetari, jo ai që gjuhet. Unë jam njeriu më i mirë në këtë divizion. Do ta vërtetoj këtë përsëri e përsëri e përsëri“, deklaroi Tyson Fury.
Usyk dhe Fabio Wardley mbajnë katër titujt kryesorë botërorë së bashku, “të ashtuquajturit kampionë bote sipas alfabetit” siç i quante Fury. Përfundimisht ai do t’i synojë ato rripa: “Herët a vonë të gjithë do të duhet të luftojnë me mua. Me kë do të luftojnë për të fituar parà?”
“Të gjithë thonë se këmbët e mia janë zhdukur, të gjithë thonë se reagimet e mia janë zhdukur. Më ndiqni të shtunën në mbrëmje dhe do ta zbuloni. I shpejtë, i aftë, i pashëm dhe shkatërrues… Nuk e kam humbur kurrë shpejtësinë apo reagimet e mia, ende i kam. Duhet të kem bërë 500 raunde sparing dhe ende i kam”, shtoi Fury.
Më tej, britaniku tha: “Shpresojmë të jem shumë më mirë se Tottenham tani. Të gjithë ata luftëtarë të tjerë mund të presin radhën e tyre për t’u fshehur. Jepini këtij njeriu që kam përballë respektin e tij. Ai është një nisës i shpejtë, ka pasur 17 nokaut në dy raundet e para”.
“Nuk kam anashkaluar kurrë askënd në jetën time dhe definitivisht nuk e kam anashkaluar këtë bishë. Më vjen keq për Aslanbek Makhmudov, por do ta bëj shembull. Do t’ia rrëzoj kokën menjëherë nga supet e tij. Jam gati për rock and roll”, përfundoi Fury.







