Boksieri britanik Tyson Fury beson se do të zhvillojë një ndeshje të tretë me Oleksandr Usyk para se të mbarojë ky vit. Fury dhe Usyk janë përballur në dy sfida të paharrueshme në kategorinë e peshave të rënda, me ukrainasin që fitoi në të dyja rastet.
Fury e kundërshtoi me hidhërim rezultatin e të dy dueleve, me humbjen e dytë që e bëri të tërhiqej nga sporti vitin e kaluar. “Dick Turpin mbante një maskë kur vidhte njerëz. Më grabitën në mes të ditës me botën që e shikonte,” tha Fury për “Sky Sports”.
Por britaniku është i bindur se do të ketë një shans për hakmarrje, sa më shpejt të jetë e mundur. “Ai do të lutet për një trilogji deri në fund të vitit. Nuk ka askënd që ai të luftojë për të fituar parà. Ekziston vetëm “Gipsy King”, njeriu i madh. Unë jam njeriu, me ose pa tituj”, tha Fury.
“Me ose pa parà, unë jam ende njeriu, më i miri. E dini pse? Sepse unë jam peshku më i madh në pellg“, tha Fury, që do të ndeshet përsëri më 11 prill kundër Arslanbek Makhmudov në stadiumin Tottenham, në Londër. Ai e ka nisur këtë rikthim me ambicien për të fituar përsëri një titull bote.







