Giroud: Kur mbërrita te Milani, Maldini më tha se numri 9 ishte i mallkuar. Unë i tregova…

14 Qershor 2025
13:15
Alfred Lleshi
back button

Ish-sulmuesit Pierre-Emerick Aubameyang, Romelu Lukaku, Gonzalo Higuain, Fernando Torres dhe Radamel Falcao janë disa nga emrat që kanë dështuar në Londrën Perëndimore, pasi zgjodhën të veshin fanellën “famëkeqe” me numrin 9. Tani, pas transferimit nga Ipswich Town, Liam Delap ka zgjedhur të marrë këtë numër, një zgjedhje për të cilën Olivier Giroud e paralajmëron që të jetë i kujdesshëm.

22-vjeçari do të mbajë fanellën me numrin 9, që ka qenë e lirë prej largimit të Aubameyang nga Chelsea. Sulmuesi francez, i cili nuk e guxoi ta vishte atë fanellë gjatë kohës së tij te Chelsea, u pyet përse kaq shumë sulmues e kanë pasur të vështirë ta përballojnë presionin që sjell ky numër.

“Kur firmosa për Milanin, Paolo Maldini më tha në takimin e parë në ‘Zoom’: A je i sigurt për numrin 9? Është disi i mallkuar. Unë iu përgjigja se nuk është numri në shpinë, ai që do të më bëjë të jem i mirë dhe të shënoj gola. Jo, unë e dua numrin 9. Dhe më pas i tregova se nuk kishte asnjë mallkim me këtë numër te Milani, po bëja shumë mirë.

Nuk ka të bëjë me numrin 9, ka të bëjë me rolin në fushë. Të qenit sulmues është diçka jashtëzakonisht kërkuese. Mund të jesh në qendër të vëmendjes kur gjërat ecin mirë, por je gjithashtu i pari që kritikohesh kur nuk shënon.

Duhet të tregosh karakter dhe forcë mendore. Duhet të jesh i fortë në kokë, edhe në momentet e vështira, të qëndrosh i sigurt te vetja dhe të vazhdosh të punosh fort. Ka shumë presion kur luan si sulmues, por për mua është pozicioni më i bukur në futboll. Ka ulje-ngritje, por duhet të jesh gati për këtë”.

Delap është përfshirë në listën e lojtarëve të Chelsea për Botërorin e Klubeve, që nis këtë fundjavë. Giroud e vlerësoi të riun anglez, për të cilin beson se ka cilësitë e duhura që ta përballojë presionin e pashmangshëm gjatë sezonit.

“Unë mendoj se ai është shumë i talentuar, – tha Giroud. – Djemtë do ta ndihmojnë të përshtatet, mendoj se do t’ia dalë mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit