Intervistë e gjatë në faqet e sotme të “Gazzetta dello Sport” e Adrien Rabiot. Mesfushori francez, sot tek Olympique Marseille, ka rrëfyer aventurën e tij të gjatë në Itali me fanellën e Juventusit. Ai ka komentuar gjithashtu edhe fillimin e ri të bardhezinjve: “Kanë qenë vite thelbësore, sepse nëse sot jam në gjendje të përballoj këto përgjegjësi, ia detyroj faktit që u rrita në një klub si Juve, ku në fund isha një nga kapitenët”.
Përsa i përket largimit nga Juventusi, francezi shtoi: “Ekzistonte një interes për të vazhduar bashkë. Edhe Thiago Motta më kishte telefonuar, por Giuntoli nuk bëri të nevojshmen për të më bindur. Dhe nuk pata ndjesinë që donte të ndërtonte diçka të rëndësishme.
Duke parë sezonin e tyre kaotik, ndoshta kam pasur të drejtë. Prej disa vitesh nuk ishin bërë blerje në nivelin e Juves dhe kjo më frustronte, sepse kisha përshtypjen që në fushë ishim shumë pak që bënim atë që duhej. Nuk doja të vazhdoja në ato kushte, kështu që preferova të sfidoja veten diku tjetër dhe zgjodha Marsejën”.
Në fund, një koment për shkarkimin e Thiago Motta: “Nuk i njoh detajet, edhe pse në futboll nuk ka kurrë kohë. Pastaj te Juve ekziston nevoja për rezultate. Është e pakuptueshme të marrësh një trajner të shkëlqyer si Motta dhe më pas ta largosh menjëherë. Thuhej që ishte viti zero, por në fund mjaftuan disa rezultate negative që gjithçka të zerohej sërish. Për mendimin tim, Thiago ka një të ardhme të madhe përpara si trajner”.







