Gjasula, mesazh trajnerit Reja para Izraelit: Nëse nevojitet luaj edhe në mbrojtje

20 Shtator 2022
14:30
Alfred Lleshi
back button

Dy ndeshje mjaft të rëndësishme, ku nevojiten 6 pikët e plota për të përmbushur objektivin: kreun e grupit të Ligës së Kombeve. Mision i vështirë, edhe për shkak të mungesave të rëndësishme në radhët e kuqezinjve për transfertën ndaj Izraelit më 24 shtator dhe duelin me Islanën, pas tri ditësh, në “Arena Kombëtare”.

Duke folur në konferencën për shtyp, Klaus Gjasula u “vetëofrua” për të luajtur edhe në mbrojtje, nëse trajneri Reja ka nevojë, meqë Kumbulla dhe Gjimshiti janë të dëmtuar:

“Besoj që e kemi treguar se dimë të fitojmë. Këto dy ndeshje janë mjaft të rëndësishme. Le të jemi optimistë për tri pikët ndaj Izraelit si fillim. Ne kemi mungesa, por edhe kundërshtari ka problemet e veta. Izraeli ka ndryshuar shumë gjëra, ne kemi kualitet për të fituar.

Është vështirë të themi që sa mirë që Izraeli ka mungesa, sepse nuk e dimë si do të luajë pa të pamundurit dhe kush do të aktivizohet në vend të tyre. Ne duam të bëjmë maksimumin duke parë vetëm veten tonë.

Roli në fushë? E dimë që është e rëndësishme, i dimë rregullat dhe çfarë mund të arrijmë me këto gjashtë pikë. Kemi Izraelin si fillim, të përqendrohemi vetëm aty. Te klubi im, trajneri më ktheu në mbrojtje dhe nuk jam larguar nga ai pozicion. Nuk e di sesi trajneri Reja i ka planet për mua në Kombëtare.

Dështim pa 6 pikët në këto dy ndeshje? Edhe ekipet e tjera janë të mira, jemi në një nivel. Ne duam t’i fitojmë të dyja ndeshjet e fundit, do të japim maksimumin dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit