Gola kuqezi në Europë, sulmuesi dhe mbrojtësi gëzojnë Panuccin!

19 Janar 2019
10:19
back button

Taulant Seferi vijon ritualin e zakonshëm edhe në ndeshjet miqësore. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka gjetur dy herë rrjetën pasditen e djeshme, teksa në ndeshjen miqësore kundër Kina U25, Seferi shënoi dy gola duke i dhënë fitoren Winterthur. Sulmuesi kuqezi, që luan i huazuar nga Young Boys tek ekipi i ligës së dytë në Zvicër, është duke kaluar një sezon të mirë.

Golat në ndeshjet miqësore, pasojnë ato të realizuar në kampionat, ku 22-vjeçari ka gjetur rrjetën me ekipin e tij disa herë. Taulant Seferi është duke i dhënë një dorë skuadrës së Winterthur të ngjitet në Superligën zvicerane të futbollit. 

Egzon Binaku ka qenë protagonist me ekipin e Malmo në Suedi, teksa ditën e djeshme ka luajtur takimin e parë për këtë vit. Skuadra e Binakut luajti një ndeshje miqësore kundër IFK Malmo, një tjetër ekipi të qytetit me të njëjtin emër. 

Takimi final përfundoi me rezultatin 2-2, teksa golin e barazimit për Malmon e shënoi mbrojtësi kuqezi. Egzon Binaku do të bëhej protagonist në të (84`) kur brenda zonës së rreptësisë shënon në portën kundërshtare. Kështu vendoset baraspesha në takimin, që deri në atë moment ishte me rezultatin 2-1

Kujtojmë se Egzon Binaku ishte një nga zbulimet e trajnerit Christian Panucci, i cili e bëri pjesë të kombëtares mbrojtësin shtatlart vitin që shkoi. Binaku arriti të bindte me paraqitjet e tij, duke siguruar kështu një vend të përhershëm në kombëtare, ku zëvendësoi pikërisht kapitenin Ansi Agolli. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit