Sezoni me hope i Manchester City vijon ende dhe barazimi 0-0 në derbin ndaj Manchester United e konfirmon këtë. Një ndeshje që solli vetëm 1 pikë për kampionët në fuqi të Premier League, ende në vendin e pestë në renditje.
“Natyrisht që do të ishte më mirë të fitonim, por Old Trafford është Old Trafford. Gjithmonë duhet një paraqitje e mirë për të fituar. Ne u përpoqëm të ndërtojmë lojëra të mira dhe të kontrollojmë situatën”, tha Pep Guardiola, trajneri i City.
“Ata dinë të jenë të rrezikshëm në kundërpërgjigje, por ne e patëm gjithmonë shansin në pjesën e dytë. Kam parë shumë gjëra të mira në tre ndeshjet e fundit, diçka që nuk e kemi pasur gjithmonë këtë sezon për shumë arsye”, shtoi trajneri spanjoll.
Më tej, Guardiola tha: “Do të preferoja të kisha 10 ose 12 pikë më shumë, por këtë vit është kështu dhe duhet ta pranojmë. Edhe ndaj United humbëm disa raste të mira shënimi, por mendoj se barazimi është rezultati më i drejtë”.
“Tani jam i fokusuar te ndeshje e radhës, ato ndaj Crystal Palace dhe Everton në kampionat si dhe te gjysmëfinalja e FA Cup me Nottingham Forest. Të gjitha ndeshjet që na presin duhet t’i fitojmë dhe kjo është ajo që ne do të përpiqemi të bëjmë”, tha Guardiola.







