Irani zgjohet pas disfatës 6-2, këndon himnin dhe ndalet dy herë te shtylla. Koha shtesë është dramatike, me dy gola ndaj Uellsit (pamjet)

25 Nëntor 2022
13:06
Alfred Lleshi
back button

Xhiroja e dytë e fazës në grupe nisi sot prej orës 11:00, me ndeshjen Uells-Iran 0-2, në stadiumin “Ahmad bin Ali”. Pjesa e parë përfundoi pa gola, me lojë të kujdesshme të të dyja palëve dhe kundërsulm, ku uellsianët ishin më ngacmues. E dyta foli tërësisht për Iranin, që goditi dy herë shtyllën e portës rivale.

Pas disfatës shokuese 6-2 me Anglinë, iranianët i kishin shtrënguar radhët, e nisën duke e kënduar himnin kësaj here. Mehdi Taremi u bë lojtari i parë iranian që shënon më shumë se një gol në Kupën e Botës, falë dopietës së tij kundër Anglisë në ndeshjen e parë. Sulmuesi, i cili luan për Porton, është gjithashtu lojtari i parë nga një vend aziatik që shënon më shumë se një herë në një ndeshje të vetme të Kupës së Botës.

Ndërkohë, 10 nga 14 golat e Uellsit në turnetë e mëdhenj ndërkombëtar (Europian dhe Kupë Bote) mbajnë firmat prestigjioze të Gareth Bale dhe Aaron Ramsey, protagonistë të padiskutueshëm të “Cymru” si golashënues ose asistues.

Irani nuk ka fituar kurrë kundër një kundërshtari evropian në 10 ndeshje (3 barazime, 7 humbje), në Kupën e Botës, duke llogaritur edhe sfidën e sotme. Uellsi mbetet i pamposhtur ndaj kombëtareve aziatike. Ai është përballur 8 herë me kundërshtarë të tillë (5 fitore, 3 barazime) në historinë e vet. Në ndeshjen e parafundit të kësaj serie, “Red Dragons” fituan 6-0 kundër Kinës në mars 2018.

Uells-Iran, precedenti i vetëm datonte në vitin 1978. “Dragonët e Kuq” fituan 1-0 në një ndeshje miqësore më 18 prill 1978 në Teheran, falë një goli të Phil Dwyer, mbrojtës dhe shtyllë historike e Cardiff City. Sot zhvillohet ndeshja e parë mes dy kombëtareve në Botëror.

Sa për kronikë loje të 45 minutave të para duhet evidentuar goli i anuluar në 16’ për Iranin. Gholizadeh merr topin në zonë nga Azmoun dhe ecën përpara. Pa hezitim godet dhe gjen golin në të majtë, por gjithçka anulohet për shkak të pozicionit jashtë loje të vetë Gholizadeh, i cili në momentin e asistimit të Azmoun është përtej vijës së topit, pas një kontrolli të shpejtë nga VAR.

KLIKO – Kieffer Moore (Uells) ka shanisn e parë optimal për të shënuar kundër Iranit në 13′

KLIKO – Ali Gholizadeh (Iran) trondit rrjetën e portës kundërshtare, por gjyqtari, me ndihmën e VAR-it e anulon golin për “offside” në 16′

Pjesa e dytë është më interesante. Irani është më ngulmues dhe i afrohet golit. Kështu, në minutën e 52-të janë dy mundësi të mëdha për aziatikët. Azmoun godet shtyllën e djathtë të portës uellsiane. Kalojnë pak çaste dhe Ali Gholizadeh kërcen nga mesi, duke goditur shtyllën tjetër të portës kundërshtare. Skuadra iraniane, një hap larg 1-0!

KLIKO – Irani godet dy herë shtyllën e portës së Uellsit në 52′

Në minutën e 58-të, duke parë presionin në rritje të kundërshtarit, Uellsi bën dy zëvendësime. Jonson dhe James në vend të Robertsin dhe Uillson, respektivisht. Me kalimin e minutave, Irani rritet dhe e tremb Page. Pas dy shtyllave “ekspres”, ndjenja është se vetëm një episod mund ta zhbllokojë ndeshjen.

Në minutën e 68-të vjen zëvendësimi i parë për Iranin. Azmoun del nga fusha i dmëtuar për Ansarifard. Pesë minuta më vonë, Hennessey bën pritje vendimtare. Saeid Ezatolahi provon fatin nga buza e zonës së penalltisë, portieri uellsian thotë “jo” me një reagim të shkëlqyer, duke devijuar topin e destinuar për në këndin e poshtëm të majtë të tij. Uellsi në “litarë”, vijon “rrethimi” i Iranit!

KLIKO – Portieri Wayne Hennessey (Uells) ndëshkohet me karton të kuq, i pari i këtij Botërori, në 86′

Minuta e 86-të është kulmore për këtë ndeshje. Irani del shpejt, me dy pasime në kundërsulm. Portieri uellsian detyrohet të dalë jashtë zonës së 16-metrave dhe ndalon me faull kundërshtarin, Taremi, që po marshonte drejt kuadratit të tij. Kryesori, pasi konsultohet me VAR-in, akordon për të karton të kuq. Wayne Hennessey e lë Uellsin me 10 lojtarë në fushë, në minutat e mbetura.

KLIKO – Uells-Iran 0-1, Roozbeh Cheshmi zhbllokon rezultatin në 90+9′

Duhej të vinte minuta e 9-të shtesë, që përpjekjet titanike të Iranit të shpërblehesin. Fati i takoi R.Cheshmi që të zhbllokonte rezultatin në “frymën e fundit”, pikërisht atëherë kur skuadrat po bënin llogaritë të ndanin nga një pikë. Super gol nga rreth 20 metra largësi.

KLIKO – Uells-Iran 0-2, Ramin Rezaeian vulos fitoren e të tijve në 90+11′

Nuk do të mbaronte këtu, sepse 3 minuta më pas, në 90+11, Irani do të dyfishonte shifrat. Kësaj here është R.Rezaeian, ai që përmbyll një ndeshje dramatike, që dhuroi emocione të forta dhe përmbysje të mëdha në kohën shtesë.

Pas kësaj ndeshjeje, Irani ka 3 pikë në grup dhe shpreson te xhiroja e tretë, ndërsa Uellsi ka 1 pikë, falë barazimit pararendës ndaj SHBA. Në mbrëmje do të luhet Angli-SHBA, rezultati i së cilës mund të zbardhë jo pak gjëra në grupin B të Botërorit të Katarit. Nëse “Tre Luanët” fitojnë sërish, e shohin veten në 16-she, me tri skuadrat e tjera në garë të ethshme për vendin e dytë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit