Italia e re po merr formë. Gattuso me Bonucci në stol, Prandelli drejtor teknik

14 Qershor 2025
8:20
Alfred Lleshi
back button

Janë ditët e Italisë së Gattusos. Zgjedhja për trajnerin e ri të kombëtares duket gjithnjë e më shumë e orientuar drejt ish-mesfushorit të Milanit. Gjatë ditës së enjte, “Ringhio” realizoi shkëputjen vendimtare ndaj Cannavaros dhe De Rossit, “djemtë e 2006-ës”, të tjerë në garë për pankinën e Italisë.

Ish-trajneri i Hajdukut të Splitit u kthye në mëngjes në Marbella, por sipas asaj që raportohet, marrëveshja me Federatën Italiane të Futbollit (FIGC) është në rrugë të mbarë. Do të nevojitet edhe një takim final për të qartësuar detajet e fundit dhe vendosur firmat mbi një akord që në thelb tashmë është arritur dhe pritet ta çojë Gattuson të firmosë një kontratë 1-vjeçare, me opsion rinovimi në rast kualifikimi në Botëror. Njoftimi zyrtar mund të vijë në ditët e para të javës së ardhshme.

BONUCCI NË STAF
Gjatë takimeve mes Gattuso, Gravina dhe Buffonit, është diskutuar edhe për stafin që do ta shoqërojë “Ringhion” në aventurën e tij në pankinën e Italisë. Trajneri ka ndërmend të marrë me vete asistentët që e kanë ndjekur gjithmonë gjatë karrierës së tij, por në marrëveshje me presidentin e FIGC-së, do të ketë edhe një “shtesë blu”: Leonardo Bonucci.

Ish-mbrojtësi i Milanit dhe Juventusit kishte nisur së fundi një aventurë si asistent i Italisë U-20, nën drejtimin e Bernardo Corradit. Megjithatë, me largimin e Corradit dhe kalimin e tij në stafin e Max Allegrit te Milani, Leo do të ishte i lirë t’i bashkohej Gattusos te Kombëtarja A.

PRANDELLI, DREJTOR TEKNIK
Por Gattuso dhe Bonucci nuk janë të vetmet risi për kombëtaren axurre. Përveç trajnerit dhe stafit të tij, Italia do të mbështetet edhe te një figurë që prej shumë kohësh mungon në organigramën e saj: drejtori teknik. Për këtë rol, gjithnjë e më shumë po përmendet emri i Cesare Prandellit.

Ish-trajneri i Italisë, në fund të marsit ishte përfolur si kandidat për këtë detyrë, edhe pse atëherë FIGC mohoi gjithçka. Tani situata ka ndryshuar dhe ish-tekniku i Fiorentinës është vërtet pranë një rikthimi në kombëtare, pas 11 vitesh.

Federata ka menduar për të një rol si zbuluese talentësh, sidomos në funksion të Kombëtares U-21. Prandelli do të ketë detyrën të koordinojë sektorin teknik, akademitë e të rinjve dhe shkollat e futbollit, qendrat federale dhe “Club Italia”. Ai do të punojë ngushtë me Maurizio Viscidi, koordinatorin e kombëtareve të moshave, dhe natyrisht do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Gattuso.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit