Fitorja nuk është gjithmonë e kënaqshme, veçanërisht kur përballesh me sfida të tjera. Bradley Wiggins, 9 vjet pasi u tërhoq nga çiklizmi, tregoi disa nga momentet më të errëta të karrierës së tij.
Kampioni anglez luftoi me depresionin dhe varësinë nga alkooli e kokaina, të cilat me kalimin e viteve e çuan atë të urrente disa nga fitoret e tij më të mëdha, siç është medalja e artë në garën e kronometrit në “Londër 2012”.
“Në “Londër 2012”, po thithja kokainë nga medalja ime e artë. E urreja rezultatin tim. Ishte sikur të urinoja mbi varrin e dikujt dhe në atë moment, po urinoja vetë. Medalja e artë, Turi i Francës. E gjithë kjo ishte e vdekur për mua“, tha Wiggins në një intervistë për “The Times” përpara publikimit të autobiografisë së tij, “The Chain”.
“Ndihesha bosh, i shkëputur. Çdo gjë që kisha arritur dukej e pakuptimtë“, shton më tej kampioni anglez i biçikletës, që tani i ka kapërcyer ato vështirësi, duke rifituar një jetë të rregullt, pothuajse sikur të ishte ende një atlet.
“Nuk pi më. Shkoj në palestër çdo ditë. Kam një rutinë ditore që fillon në orën 6:15 të mëngjesit. Jetoj si një atlet profesionist, planifikoj vaktet e mia“, theksoi fituesi i Turit të Francës në vitin 2012.
“Tani fitoj më shumë se sa kam fituar në gjashtë vitet e fundit. Kam shtëpinë time. Nuk jam më i pastrehë. Një vit më parë, isha i pastrehë. Ende ngas biçikletën time në fundjavë, me të njëjtën ndjenjë lirie që ndjeva si fëmijë“, shtoi Wiggins.







