Katari përfundon edhe një stadium, tifozëve u duket si… vaginë!

3 Maj 2019
16:38

Mes polemikave, akuzave për korrupsion dhe vdekjes së skllevërve që punojnë në kantiere pa asnjë masë sigurie dhe me paga skandaloze, Katari vazhdon punën për përfundimin e stadiumeve që po ndërtohen për Kupën e Botës 2022.

Së fundi ka përfunduar ndërtimi i një tjetër stadiumi, ai në Al Wakrah, ku do luhen ndeshje deri në çerekfinale, përballë rreth 40,000 tifozëve.

Stadiumi ishte projektuar nga arkitektja britaniko-irakiane Dame Zaha Hadid, e cila vdiq në vitin 2016 për infarkt. Kur projekti u prezantua, në vitin 2013, stadiumi ishte frymëzuar nga forma e një varke tradicionale përdorur në vendet arabe për peshkim dhe nxjerrje perlash. Megjithatë, në botën e internetit, si zakonisht, ka vend për humor dhe shtrembërime pa fund, ndaj stadiumi tashmë shumë njerëzve u duket si vaginë, nga fotot nga ajri. 

Hadid, personalitet në arkitekturë, mbeti e habitur: "Është e sikletshme të dëgjosh broçkulla të tilla. Jo gjithçka me një vrimë në të është vaginë, po bëhemi qesharakë. Ndoshta po ta kishte ndërtuar një mashkull këtë stadium, nuk do kritikohej kaq shumë".

Gjithsesi, jemi në kufijtë e ironisë dhe humorit, sepse kritikat reale janë për zhvillimin e turneut në një vend ku temperaturat shkojnë deri në 40 gradë dhe FIFA mjaftohet duke e spostuar Botërorin në dimër dhe duke përdorur teknologjinë e freskimit të stadiumit me ujë, por askush nuk e vret mendjen për tifozët jashtë stadiumeve, apo për çmimin e ujit të pijshëm, që do kthehet në një biznes kriminal. 

Po alkooli? Kush dëshiron të pijë në Katar, të mbushë mirë xhepat, sepse çmimet do jenë të frikshme, me taksën 100% aprovuar nga shteti i Katarit. Sipas Sky News, një kuti me 24 kanoçe birre do kushtojë mbi 100 dollarë, ndërsa një shishe një-litërshe xhin do kushtojë rreth 90 dollarë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit