Legjenda franceze: Mbappe te Real Madridi? Po shkon në klubin e ëndrrave të tij

7 Maj 2024
11:49
Alfred Lleshi
back button

Mbijetesa e PSG në Ligën e Kampionëve luhet sonte, me fillim nga ora 21:00. Për të arritur në finalen e 1 qershorit në “Wembley”, parizienët do të duhet të përmbysin disavantazhin 1-0 ndaj Borussia Dortmundit.

Në një intervistë për “Le Parisien”, legjenda franceze, David Ginola, ish-lojtar i PSG-së, ka analizuar ndeshjen dhe ka folur për Mbappe, i cili sonte luan ndeshjen e fundit të Champions League në Paris si pjesë e skuadrës kryeqytetase.

“Konteksti nuk është i veçantë, por puna e tij në futboll. Nëse shkon te Real Madridi, ai do të shkojë në klubin e ëndrrave të tij. Kylian është në fillim të një aventure madhështore. Është mëkat për futbollin francez, që do të humbasin një talent si Mbappé. Do të doja ta shihja të luante për PSG-në për një kohë të gjatë.

I lumturoi të gjithë tifozët francezë, që donin të shihnin një lojtar të jashtëzakonshëm në stadium. Ajo që mbizotëron është trishtimi që nuk do ta kemi më në kampionatin francez, as te PSG. Me siguri po flasim për një nga lojtarët më të mirë të dhjetë viteve të ardhshme, nëse jo më i miri.

Unë me të vërtetë i uroj gjithë të mirat. E vetmja gjë që shpresoj është që një ditë PSG të ketë 10 Champions League, që të tërheqë lojtarë, të cilët ndihen më të vegjël se klubi dhe që duan të japin më të mirën nga vetja”, – deklaroi Ginola.

Ish-lojtari i kombëtares franceze siguroi gjithashtu për Mbappé: “Nëse fiton Ligën e Kampionëve dhe më pas largohet, nuk mendoj se do ta marrim parasysh. Do të doja t’i thoja: Bëj çfarë të duash, ke ende 15 vite karrierë përpara. Ata që të kritikojnë do të jenë të parët që do të të adhurojnë”.

I kritikuar në ndeshjen e parë të luajtur në “Signal Iduna Park”, kapiteni i kombëtares franceze do të duhet të bëjë një hap përpara sonte për t’i hapur rrugë përmbysjes së skuadrës së Luis Enrique. Ginola dha edhe shembullin e Real Madridit si paradigmë se çfarë është një klub në të cilin kolektivi mbizotëron mbi individin, në kundërshtim me atë që ka mbizotëruar në Paris vitet e fundit:

“Kështu fitohet. Për shembull, Real Madridi, kur kishte Cristiano Ronaldon, Benzema, Modric dhe Kroos. Lojtarë shumë të talentuar dhe të njohur, por ata ishin pjesë e një ekipi. Pse? Sepse institucioni i klubit ishte më i rëndësishëm se ata.

PSG nënshkroi me Messin dhe Neymarin, diçka e mrekullueshme, sepse iu dha njerëzve mundësinë të shihnin lojtarë të tillë të talentuar. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se një ekip ka nevojë edhe për ushtarë, jo vetëm gjeneralë. Kur ndërton një ekip, duhet të gjesh kompromisin më të mirë me lojtarët që do të bëjnë punën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit