“Vallëzimi i fundit” i Lionel Messit në një Kupë Bote përfundon në mënyrën më të hidhur. Argjentina mposhtet nga Spanja pas kohës shtesë dhe ylli i Inter Miami duhet t’i japë lamtumirën ëndrrës për t’u shpallur dy herë kampion bote me “Albiceleste”, duke kaluar kështu edhe Diego Maradonën, me të cilin është krahasuar për shumë vite.
Debutimi i “Pleshtit” në Kupën e Botës daton më 16 qershor 2006, kur u aktivizua në vend të Maxi Rodríguez në ndeshjen kundër Serbisë, në Botërorin e zhvilluar në Gjermani. Messi do të mbushte 19 vjeç vetëm 8 ditë më vonë.
Pas zhgënjimit të vitit 2010, turne në të cilin nuk arriti të shënonte asnjë gol, 4 vite më vonë përjetoi një tjetër kapitull të dhimbshëm me Argjentinën. Në Brazil, Messi dhe shokët e tij u mposhtën nga Gjermania në finalen e vendosur në kohën shtesë, duke humbur edhe një herë mundësinë për ta fituar Kupën e Botës.
Mallkimi vazhdoi edhe në “Rusi 2018”, kur Argjentina u eliminua nga Franca në fazën e 1/8-ave. Pastaj, në “Katar 2022” erdhi hakmarrja sportive. Messi mori mbi supe të gjithë skuadrën dhe, pas ekzekutimit të penalltive në finale, udhëhoqi Argjentinën drejt titullit kampion bote. “Scaloneta” ngriti trofeun, ndërsa “Pleshti” fitoi të vetmin trofe që i mungonte në karrierën e tij.
Në Botërorin 2026, në moshën 39-vjeçare, të cilën e mbushi gjatë turneut, Messi iu afrua një tjetër mrekullie. Edhe një herë ai ishte lideri i padiskutueshëm i Argjentinës, duke e mbyllur kompeticionin me 8 gola dhe 4 asistime, por finalja u mbyll me lot dhe jo me një tjetër trofe.







