Letonia dhe Shqipëria do të përballen nesër në mbrëmje në “Skonto Stadium” të Rigës, në një ndeshje që shkon përtej thjesht tri pikëve. Është një betejë direkte për vendin e dytë në Grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026, por edhe për të shkruar një faqe të re në historinë e përballjeve mes dy kombëtareve. Deri më sot, në pesë sfida të luajtura mes tyre, askush nuk ka mundur të dalë fitues. Pesë ndeshje, pesë barazime, me golaverazh total 6-6, si për të treguar më së miri ekuilibrin e plotë që e ka shoqëruar këtë duel.
Të dyja përfaqësueset ndodhen në një moment ku çdo pikë ka vlerë të jashtëzakonshme për objektivin final: kualifikimin historik në Kupën e Botës, një ëndërr që as Letonia dhe as Shqipëria nuk e kanë përjetuar ndonjëherë. Shqipëria mbërrin në këtë sfidë si e dyta në renditje, pas një nisjeje të alternuar: humbje 2-0 ndaj Anglisë, fitore 3-0 kundër Andorrës dhe barazim 0-0 me Serbinë në Tiranë. Me një sukses nesër, kuqezinjtë e Sylvinhos mund të krijojnë një diferencë të rëndësishme ndaj ndjekësve të tyre, duke konsoliduar vendin e dytë, që mund të rezultojë vendimtar për rrugëtimin drejt Amerikës së Veriut në verën 2026.
Nga ana tjetër, Letonia kërkon të reagojë pas një periudhe jo shumë pozitive. Fitorja minimale ndaj Andorrës ishte një ogur i mirë për skuadrën baltike, por humbja 3-0 ndaj Anglisë dhe barazimi zhgënjyes me Azerbajxhanin në miqësore kanë lënë shije të hidhur. Përballë tifozëve të vet, “Ujqërit” do të kërkojnë të ndalin një Shqipëri që ka treguar organizim dhe grintë në këto eliminatore.

Bilanci historik është i rrallë për t’u parë në futbollin modern: pesë ndeshje, pesë barazime. Nga 1992 deri më 1999, çdo përballje mes Shqipërisë dhe Letonisë ka prodhuar vetëm barazim. Madje edhe përballja e fundit, në shtator të vitit 1999 në “Qemal Stafa”, përfundoi me spektakël golash, por barazim 3-3. Çdo tentativë për ta prishur këtë ekuilibër ka dështuar. Nesër në Riga, njëra prej dy kombëtareve ka shansin historik ta ndryshojë këtë kapitull të pazakontë dhe të marrë fitoren e parë.
Statistikat e grupit flasin në favor të Shqipërisë: kuqezinjtë kanë shënuar 3 gola në këto eliminatore, me një mbrojtje të fortë, që ka pësuar vetëm 2 gola (nga Anglia). Letonia, përkundrazi, ka shënuar vetëm një gol dhe ka pësuar 3. Për më tepër, diferenca në renditjen e FIFA-s është e dukshme: Shqipëria pozicionohet në vendin e 66-të, ndërsa Letonia renditet e 138-ta.
Për Shqipërinë, kjo sfidë është mundësi që nuk duhet lënë të ikë. Fitorja në Riga jo vetëm që do të ishte historike në raport me bilancin mes dy kombëtareve, por mbi të gjitha do të ishte hap i madh drejt një ëndrre të përbashkët që quhet Botërori 2026.
Në fushë do të jetë një betejë e vërtetë për tri pikët, por mbi të gjitha shihet si përplasje për të fituar historinë. Shqipëria kërkon ta kthejë këtë sfidë nga e kaluara e barazpeshës në të ardhme me ambicie dhe fitore. Tani është koha për të thyer ekuilibrin dhe bërë hapin e madh drejt ëndrrës së madhe.

Letoni-Shqipëri, bilanci dhe statistikat kryesore:
Dy kombëtaret janë përballur pesë herë deri më tani. Të gjitha këto ndeshje kanë përfunduar në barazim, me golaverazhin total 6-6. Pra, letonezët dhe kuqezinjtë janë në kërkim të fitores së parë në historinë e përplasjeve direkte.
– Ndeshja e fundit mes tyre ishte kualifikuese për Kampionatin Europian, në shtator 1999, e cila përfundoi 3-3.
– Letonia ka shënuar vetëm një gol dhe ka pësuar tre në këto kualifikuese, deri më tani.
– Shqipëria ka shënuar tre gola deri tani në këto kualifikuese. Vetëm Anglia (6 gola) ka shënuar më shumë në Grupin K.
– Letonia pozicionohet aktualisht e 138-ta në renditjen e FIFA-s, ndërsa Shqipëria ndodhet në vendin e 66-të.
– Letonia fitoi 1-0 në fushën e Andorrës, më 21 mars dhe u mund 3-0 nga Anglia më 24 mars, në Londër.

Ja datat dhe rezultatet e ndeshjeve direkte:
11 nëntor 1992, Tiranë, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”:
Shqipëri-Letoni 1-1
Ndeshje e vlefshme për “FIFA World Cup Qualification” 1994, Grupi 3
15 maj 1993, Rīga, “Daugavas Stadions”:
Leltoni-Shqipëri 0-0
Ndeshje e vlefshme për “FIFA World Cup Qualification” 1994, Grupi 3
10 shkurt 1998, Attard, stadium “Ta`Qali National”:
Letoni-Shqipëri 2-2
Ndeshje e vlefshme për “Rothmans Tournament”, 1998
28 prill 1999, Rīga, “Daugavas Stadions”:
Letoni-Shqipëri 0-0
Ndeshje e vlefshme për “UEFA Euro 2000 Qualifying”, Grupi 2
04 shtator 1999, Tiranë, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”:
Shqipëri-Letoni 3-3
Ndeshje e vlefshme për “UEFA Euro 2000 Qualifying”, Grupi 2







