Aktualisht i dëmtuar, por shumë i etur për t’u rikthyer në fushë me fanellën e Barcelonës, Robert Lewandowski ka dhënë një intervistë për BBC-në, ku ka rrëfyer momente të ndryshme nga karriera e tij dhe periudha te blaugranat. Një pjesë të veçantë të bisedës ia ka kushtuar Xavit, ish-trajnerit të tij para Flick dhe njeriut që kërkoi me ngulm transferimin e sulmuesit polak te katalanasit:
“Ka qenë një person shumë i rëndësishëm për mua, kur mbërrita në Barcelonë, në muajt e parë dhe më pas. E kisha sfiduar si lojtar, më pas u bë trajneri im. U përpoqa ta ndihmoja, pashë se kishte diçka të veçantë për t’u bërë trajner i madh. Ajo që bëri për klubin në atë moment të vështirë ishte e jashtëzakonshme. Ndonjëherë njerëzit nuk e kuptojnë këtë, por unë mendoj se Xavi e do shumë klubin. Edhe falë tij, Barça është ajo që është sot”.
Një mesazh i qartë për të mbrojtur trashëgiminë që Xavi la te Barcelona. Kujtojmë se Lewandowski ishte ndër ata lojtarë që ndanë publikisht mesazhe lamtumire për trajnerin 45-vjeçar, kur ai u largua nga pankina blaugrana: “Ka qenë nder të luaja në skuadrën tënde, Xavi! Do të jesh gjithmonë pjesë e historisë së madhe të Barçës. Jam krenar që shkrova një kapitull të jashtëzakonshëm të historisë sime në këtë klub të madh së bashku me ty. Faleminderit dhe suksese, Xavi!”







