Giovanni Malagò, presidenti i ri i FIGC, bëri një bilanc për botën e futbollit një ditë pas finales së Kupës së Botës 2026, të fituar nga Spanja, dhe zbuloi disa detaje të rëndësishme për emrat në garë mbi stolin e kombëtares italiane.
“Botërori? Ka çështje inovative dhe të tjera të diskutueshme, – tha ai për ‘Sky Sport’. – Pushimi për hidratim ka një logjikë, por ka edhe instrumentalizim për të futur reklamat. Pushimi prej 22 minutash në finale? Ky është spektakli i biznesit amerikan, ashtu siç ndodh në hokej, bejsboll dhe sidomos në futbollin amerikan.
Duhet të heqim qafe një lloj hipokrizie, jemi pothuajse të varur nga aspektet financiare që lidhen me botën e futbollit. Nuk njoh sektorë të tjerë, si protagonistët e futbollit, që mendojnë vetëm në terma të shumave neto”.
Më pas, për çështjen “Balogun” dhe ndërhyrjen e politikës në botën e sportit, ai tha: “Atje është kaluar kufiri, gjithmonë ekziston një vijë që nuk duhet kaluar. Karta Olimpike është shumë e qartë sa i përket autonomisë. Pastaj e dimë që mund të ketë një lloj fleksibiliteti, sepse sporti, pa politikën, nuk mund ta bëjë mirë punën e tij dhe politika e di që roli i saj është thelbësor”.
Për njoftimin e trajnerit të ri të kombëtares italiane, Malagò tha: “Dua të saktësoj se më janë dashur dy javë për të sjellë në bord Maldinin dhe Leonardon, të cilët janë njerëz shumë seriozë dhe të interesuar për projektin. Ata kanë dashur të hyjnë në detaje dhe në specifikat e rolit të tyre, të punës që duhet bërë dhe të ‘Covercianos’. Në këto dy javë kemi bërë 6-7 telefonata dhe video-konferenca, ku pothuajse nuk kemi folur fare për çështje ekonomike.
Nuk mungon vetëm trajneri i kombëtares; ka edhe figura të tjera, nga menaxheri i ekipit, te personat që merren me qendrën federale, marketingu, reklamat etj. Për trajnerin nuk ka asnjë lloj përplasjeje, por fjala bashkëndarje nis nga ideja se të gjithë duhet të jenë 100% dakord. Nëse kjo ide ekziston, më pas duhet të zbatohet në praktikë.
Po flasim për të hyrë në detajet e një kandidati të përbashkët. Në këto 10 ditë kemi diskutuar dhe ka disa dokumente që po i shqyrtojmë, të cilat ende nuk mund t’i ndaj. Edhe pak ditë durim dhe do të dini gjithçka. Në listën e shkurtër janë vetëm Mancini dhe Pirlo?
Jo, ka edhe emra të tjerë të mundshëm”.







