Malagò fiton kohë mes kaosit: Trajneri i ri? Do të flas me të gjithë sa më shpejt…

27 Korrik 2026
15:09
Alfred Lleshi
back button

Harrojini buzëqeshjet e pak ditëve më parë në “Lega”, ku u panë së bashku; mes të tjerëve, Malagò, Maldini dhe Leonardo. Mos emërimi i Andrea Pirlos si trajner i ri i kombëtares italiane, i konfirmuar nga vetë ish-mesfushori në rrjetet sociale, ka rritur tensionin dhe tani drejtori teknik i Italisë, ashtu si edhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë brazilian, mund të largohet vërtet.

Sipas mediave italiane, për Maldinin çështja e lidhur me faqet ruse të basteve është vetëm një pretekst për t’i kufizuar autonominë në vendimmarrje, ndaj nuk përjashtohet dorëheqja. Ndërkohë, Giovanni Malagò po fiton kohë. I ftuar në “Il Sole 24 Ore”, ai deklaroi: “Trajneri i ri? Që prej këtij mëngjesi kam marrë shumë mesazhe. Do të flas me të gjithë sa më shpejt, siç është e drejtë.

Nëse duam të rikthejmë besueshmërinë sportive në nivelet më të larta, duhet të punojmë me djemtë që sot janë 13-16 vjeç. Duhet të ndryshojmë të gjithë sistemin e formimit dhe kulturës sportive. Është një çështje mbjelljeje dhe idetë janë shumë të qarta. Po punojmë për këtë, pavarësisht vështirësive, sepse futbolli nuk është më sporti i vetëm dominues në Itali”.

Në orët e ardhshme priten zhvillime të rëndësishme. Presidenti i Federatës Italiane do të zhvillojë në Romë një takim jozyrtar me përfaqësuesit e Ligave, sportistëve dhe trajnerëve, në prag të mbledhjes së Këshillit Federal të së martës. Në qendër të diskutimeve do të jetë edhe zgjedhja e trajnerit të ri, ndërsa parashikohet edhe një takim mes Malagòs, Maldinit dhe Leonardos, pikërisht në ditën kur pritej zyrtarizimi i Andrea Pirlos.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit