Kanë mbetur edhe pak orë nga fillimi i Botërorit për Klube dhe mes yjeve më të pritura të turneut është sigurisht Lionel Messi, i cili po përgatitet ta përjetojë këtë aventurë të re me Inter Miami. Argjentinasi ka folur për rëndësinë e këtij formati të ri, duke theksuar gjithë motivimin e tij:
“Është një kompeticion interesant, të kesh mundësinë të marrësh pjesë në të është emocionuese. Sot pritshmëritë e mia janë të ndryshme nga ato që kisha kur luaja në klube të tjera, por jam i motivuar dhe kam shumë dëshirë të përballem me më të mirët dhe të bëj mirë”.
Ish-ylli i Barcelonës ka bërë edhe një apel për tifozët, që të mos e humbasin këtë edicion të turneut: “Vijnë ekipe të mëdha nga e gjithë bota dhe kjo do të tërheqë shumë njerëz. Flasim për klube të rëndësishme, me lojtarë që njerëzit i duan dhe i ndjekin. Është hera jonë e parë, një turne i ri dhe ndryshe. Një mundësi fantastike për të parë lojtarët më të mirë këtu në SHBA. Është një përvojë e jashtëzakonshme për ta përjetuar”.
Messi më pas ka theksuar vlerën e këtij eventi për klubet jo europiane: “Është një mundësi e madhe për ekipet nga Amerika e Jugut dhe ato që janë në rritje. Mund të maten me elitën e futbollit europian, me ekipet më të forta dhe më të admirueshme, plot me lojtarë të nivelit më të lartë. Është një rast unik si për lojtarët, ashtu edhe për tifozët”.







