“Një histori lufte, përpjekjesh, triumfi dhe vuatjesh”; Duka “shenjtëron” Taulant Xhakën

17 Nëntor 2021
8:30
Alfred Lleshi
back button

Kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka, “përulet” para Taulant Xhakës, para asaj që futbollisti në fjalë ka dhënë për kombëtaren kuqezi. Njëri nga heronjtë e “Euro 2016” njoftoi dje tërheqjen nga kombëtarja, duke i renditur arsyet përmes një letre të gjatë publike.

Natyrisht, ajo letër ishte e mbushur me krenari për ngjyrat kuqezi, që ka përfaqësuar. Nuk ka vonuar shumë dhe presidenti i FSHF-së ka shprehur vlerësimin e lartë për Taulantin:

“I dashur Taulant!

E lexova letrën tënde dhe më beso që më emocionoi shumë. Gjatë leximit më kalonte në mendje historia jonë në Kombëtare. Një histori lufte, përpjekjesh, triumfi dhe vuatjesh. Një histori njerëzore në të gjitha dimensionet e saj.

Ti ke qenë një motorr për ekipin, një luftëtar i vërtetë, një djalë i përkryer (në fakt, do vazhdosh të jesh por jo më si lojtar). Për fat të keq, për këtë rol, nuk e kemi një zëvendësues. Por shpresoj shumë që performanca jote gjatë këtyre viteve të shërbejë si model dhe si shembull për të gjithë futbollistët e të gjitha niveleve të ekipeve kombëtare.

Edukata familjare, ajo profesionale dhe ato që përmenda më lart, u bënë bashkë, u “kapën përdore” dhe prodhuan këtë personalitet dhe njeri, këtë luftëtar dhe profesionist, që do të më mungojë.

Në këtë botë miku im, ajo që mbetet është kontributi për të arritur suksesin dhe emri i mirë. Ti këto i ke arritur. Prandaj, kontributi yt, mund të quhet “mision i përmbushur”.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, se çdo rrugëtim, sado i gjatë të jetë, e ka një fund. Për këtë kontribut të gjatë dhe tepër të vlerësuar, ti miku im, ke hyrë në librin e historisë dhe hollin e famës së futbollit shqiptar. Si dashamirës futbolli, si bashkëudhëtar i suksesit tënd dhe si President i FSHF, jam shumë i lumtur ta konfirmoj këtë.

I dashur Taulant! Mua personalisht do të më kesh gjithmonë një mik të përjetshëm. Besnik dhe krenar për miqësinë tonë”.

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit