Otamendi: Finalet fitohen ose humben, ne e mbrojtëm fanellën deri në frymën e fundit

21 Korrik 2026
10:50
Alfred Lleshi
back button

Pas humbjes ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, edhe Nicolás Otamendi zgjodhi rrjetet sociale për të përcjellë mesazhin e tij të falënderimit dhe krenarisë për rrugëtimin e Argjentinës.

Mbrojtësi i Albiceleste shprehu gjithë zhgënjimin për një fund ndryshe nga ai që kishin imagjinuar, por theksoi se skuadra dha gjithçka gjatë turneut: “Nuk ishte fundi që ëndërronim, e vërteta është se dhemb shumë. Pas këtyre 50 ditëve ka pasur sakrifica, përqafime, lot, shpresa dhe një grup lojtarësh që dha absolutisht gjithçka për këtë fanellë”.

Otamendi më pas i kushtoi një mesazh të veçantë familjes së tij, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme: “Familjes sime, faleminderit që keni qenë gjithmonë pranë meje, në çdo gëzim dhe në çdo moment të vështirë. Sot kthehemi në shtëpi me zemër të thyer, por me qetësinë se e dimë që kemi dhënë gjithçka”.

Në fund, mbrojtësi argjentinas e mbylli mesazhin me një fjali që përmbledh shpirtin e Albiceleste: “Finalet fitohen ose humben, por ka fanella që mbrohen për gjithë jetën. Dhe këtë fanellë ne e mbrojtëm deri në frymën e fundit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit