Organizatorët e Lojërave Olimpike “Paris 2024” kanë bërë më dije se deri më sot janë 68 sulme kibernetike të “identifikuara dhe të dështuara” që nga fillimi i eventit olimpik. Sulme kibernetike, dy nga të cilat synonin faqen zyrtare të eventit olimpik. “Të gjitha këto sulme kibernetike u zbuluan në kohë dhe u shkatërruan”, thanë organizatorët e Olimpiadës.
Të gjithë tenistët “big” kanë avancuar në çerekfinalet e Lojërave Olimpike “Paris 2024”. Spanjolli Carlos Alcaraz, serbi Novak Djokovic, gjermani Alexander Zverev, greku Stefanos Tsitsipas, norvegjezi Casper Ruud si dhe polakja Iga Sëiatek, janë të gjithë në garë për medaljen e artë olimpike.
Sërish pakënaqësi në Fshatin Olimpik për sa i përket mensës së ndërtuar aty. Kohë pritjeje tepër të gjata, qumësht i lëngshëm, mungesë mishi dhe vezësh, porcione që janë shumë të vogla dhe ndonjëherë ushqimi lë për të dëshiruar. Kritikat e sportistëve kundër vakteve të servirura në mega-restorantin vazhdojnë të pandërprera.
Mensa e sportistëve, i ashtuquajturi “restoranti më i madh në botë”, hapi dyert më 18 korrik, me 3.300 vende dhe 40.000 porcione të shërbyera çdo ditë. Aty shërbehen mbi 10.000 banorë të Fshatit Olimpik. Ata që janë përgjegjës thanë se kanë krijuar mbi 500 receta, duke përfshirë një përzgjedhje të menyve tradicionale.
Nga Olimpiada janë eliminuar dy sportistët më të vjetër të këtij edicioni të Lojërave Olimpike. Bëhet fjalë për kalorësin spanjoll Juan Antonio Jimenez Cobo, 65 vjeç dhe tenisten luksemburgase Ni Xia Lian, 61 vjeçe. Ata nuk do të vijojnë më rrugëtimin e tyre, që ndoshta ishte i fundit në një eventr olimpik.







