Janë luajtur sot dy ndeshjet e fundit për javën e 27-të në Abissnet Superiore. Në “Air Albania”, në derbin e kryeqytetit mes Dinamos dhe Partizanit, dy ekipe në garë për vendin e 4-të, sfida u mbyll 0-2 për të kuqtë e drejtuar nga Oltijon Kërnaja. Derbi i kryeqytetit u zhbllokua në minutën e 38-të, ku kostarikani Carlos Martinez gjeti golin pas një goditjeje me kokë, pas asistit të Murataj. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Partizanin.
Në fillim të pjesës së dytë, të kuqtë gjejnë golin e avantazhit të dyfishtë pas një aksioni të shpejtë dhe finalizimit të Dumbia, në kufijtë e zonës së rreptësisë. Shifrat nuk ndryshojnë deri në fund. Partizani fiton 0-2 dhe merr fitoren e pestë rresht në kampionat. Të kuqtë renditen në vendin e 4-të me 42 pikë, Dinamo një vend më poshtë me 39 pikë.
Në Rrogozhinë, 6 gola të shënuar mes Egnatias dhe Teutës, por në fund vendasit i gëzohen 3 pikëshit, pas fitores 4-2. Durrsakët gjetën të parët golin me Vasilios Zogos në minutën e 25-të, pas një topi të ardhur në zonë nga goditja e këndit.
Vendasit barazuan shifrat në minutën e 40-të me golin e Alessandro Albanese, i cili shënoi me një goditje nga distanca, por që nuk u kontrollua siç duhej nga Gentian Selmani dhe topi përfundoi në rrjetë. Në minutat shtesë të pjesës së parë, Daniel Adjessa i dha avantazhin Egnatias, 2-1, pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të Fernandes.
Në minutën e 53-të, Xhuljano Macolli tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë për Teutën duke barazuar shifrat 2-2, pas një faulli në zonë të Xhemajlit ndaj Wotlai. Në minutën e 78-të, Jefferson kroson, Nikola Buric shënon me kokë.
Në minutën e 79-të, Teuta mbetet me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Blerim Kotobellit. Në minutat shtesë, Fernando shënon golin e 4-të dhe vulos fitoren për rrogozhinasit. Egnatia mban vendin e tretë me 49 pikë, Teuta në vendin e gjashtë me 34 pikë.







