Përpara 3 vitesh luftonte për mbijetesë në Serie B, sot Gjimshiti shkruan historinë!

11 Dhjetor 2019
21:30
Anton Cicani
back button

Eshtë janari i vitit 2016 dhe shampanja ende nuk është tharë nga buzët e shqiptarëve pas festimit të çmendur në natën armene, ku kombëtarja kuqezi u kualifikua për të parën herë në një Kampionat Europian Futbolli… Ethet për të zbritur në Francë dhe për të provuar veten në turneun më prestigjoz të kontinentit janë të mëdha. Ndërkohë, në Itali, pa shumë zhurmë, Berat Gjimshiti sapo ka firmosur kontratën e tij për katër vitet e ardhshme me Atalanta.

Mbrojtësi shqiptar i lindur në Zurih të Zvicrës dhe që ka përfaqësuar deri në moshën U-21 kombëtaret helvete, pret edhe të njihet me fatin e tij: a do të udhëtojë me ekspeditën shqiptare në eventin më të madh të futbollit (vera e vitit 2016)? Shumë dilema në kokën e tij, por fillimisht ka nisur aventura e re…

Duhet të presë 2 majin për të debutuar me Atalantan në Serie A: e bën ndaj Napolit të Elseid Hysajt, shok ekipi te kombëtarja shqiptare. Lajmi i keq vjen në grumbullimin zvicerian me De Biasin: Gjimshiti duhet të kthehet në shtëpi pasi nuk do të jetë në Europian. Lista nuk ka vend për të. Mes zhgënjimit të madh, mbrojtësi shtatlartë kthehet me pushime dhe aty merr edhe goditjen tjetër. Do të duhet të luajë një sezon i huazuar te Avelino, Serie B, pra kategoria e dytë italiane.

Lufton për mbijetesë Berati, por duhet të forcohet edhe fizikisht dhe të përshtatet me futbollin italian, duke perfeksionuar gjuhën. Nga një huazim te tjetri, pasi një sezon më pas e pret Benevento, i sapongjitur në Serie A. Një vit dhe rënie në Serie B, por Atalanta dhe Gasperini kuptojnë se ka ardhur momenti që djaloshi shqiptar të ketë një shans.

E marin në grumbullim dhe e provojnë: Gjimshiti jep përgjigje pozitive. Atalanta vendos ta mbajë dhe me kalimin e kohës, mbrojtësi nis të luajë titullar në ndeshjet kur bëhet rotacion, deri kur arrin vendin fiks: i padiskutueshëm! 24 ndeshje në Serie A sezonin e shkuar dhe kualifikimi historik në Champions League, në vend të tretë! Çmenduri dhe e pabesueshme.

Djaloshi që luante në Serie B dikur, tani është titullar te ekipi italian më simpatik dhe që luan futboll spektakolar. Ndërkohë, ka përshëndetur me kohë Etrit Berisha. Gjimshiti qëndron dhe blindohet nga klubi, deri kur këtë sezon provon edhe emocionet e Champions League, mes ndeshjeve në “San Siro” dhe jashtë fushe! Në Armeni, dikur, arriti kualifikimin në Euro 2016, emocion që nuk provoi, ndërsa tani po në ish-Bashkimin Sovjetik, arrin një tjetër kualifikim, 3 vite më pas, por në fazën e 1/8-tave të Champions League, me Atalana. Do të përballet me 15 më të mirat e Europës!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit