Platini: Kurrë s’më kanë thirrur për të qenë president i Juventusit. Conte? Duhen lojtarë të mirë për të fituar

27 Maj 2025
9:10
Alfred Lleshi
back button

Michel Platini ka folur për herë të parë, pas shpalljes i pafajshëm edhe në apel, në lidhje me akuzat për mashtrim mbi çështjet e caktimit të Botërorëve në Rusi dhe Katar. Megjithatë, në këtë dalje publike, ai është ndalur më shumë te një dashuri e vjetër, që nuk është shuar kurrë: Juventusi.

Pas fitores me vështirësi ndaj Venezia në javën e fundit të Serie A, bardhezinjtë siguruan vendin e katërt dhe kualifikimin në Champions League. Në horizont është Botërori i Klubeve në SHBA, teksa me shumë gjasa drejtimin teknik do ta marrë sërish Antonio Conte, pas titullit të fituar me Napolin.

Platini komentoi: “Nuk dua të përfshihem në këto dinamika, Tudor bëri mirë. Conte është një figurë e rëndësishme, por Juventusit i duhen lojtarë të mirë, nëse do të rikthehet te fitorja. Janë lojtarët, ata që e shkruajnë historinë e një klubi më shumë se trajnerët”.

Ndërkohë që kthimi i Contes duket i afërt, legjenda franceze mohoi zërat se i është ofruar ndonjëherë posti i presidentit të klubit bardhezi: “Asnjëherë nuk më ka telefonuar njeri nga Juventusi. Nuk mund të kem një opinion nëse nuk ka pasur asnjë kontakt. Mund të them vetëm që kam një jetë të mirë dhe jam shumë mirë kështu. Avokati Agnelli ma kërkoi dikur, por refuzova sepse duhej të kthehesha në shtëpi. Sigurisht që është nder i madh që edhe pas 40 vitesh mendohet ende për mua te Juventusi”.

Ai shtoi se e ndjek më pak futbollin italian: “Në Francë nuk transmetohet Serie A dhe që kur nuk jam më president i UEFA-s, e ndjek më pak. Jam i lumtur që Juventusi përfundoi në vendin e katërt. Në futboll, kur nuk mund të fitosh, të paktën përpiqu të mos humbasësh. Champions League është shumë e rëndësishme për klubin”.

Sa i përket Kupës së Re të Botës për Klube, Platini shprehu skepticizëm: “Kupa e Botës për Klube ka ekzistuar prej 50 vitesh, më pas e ndryshova dhe përfshiva të gjitha federatat. Tani FIFA do të bëjë një turne me më shumë para, ka të drejtën e vet. Sidoqoftë, nga këndvështrimi i një futbollisti, më duket e ndërlikuar. Pra, e shoh si kompeticion legjitim, por të ndërlikuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit