Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në panelin “Diaspora shqiptare dhe fuqia e sportit”, në kuadër të Samitit të Diasporës Shqiptare që u zhvillua në Tiranë në datat 13-15 prill 2026.
Në këtë panel morën pjesë edhe dy ish-kapitenët e Kombëtares shqiptare, Altin Lala dhe Lorik Cana si edhe Zv.ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha, të cilët diskutuan mbi rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin e sportit dhe futbollit.
Duka theksoi se rezultatet e ekipit Kombëtar kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit dhe në forcimin e lidhjes me shqiptarët kudo në botë. Ai përmendi si momente të rëndësishme kualifikimet e Shqipërisë në Europianin 2016 dhe Europianin 2024, që kanë ndikuar pozitivisht edhe në promovimin e imazhit të vendit.
Ai heksoi gjithashtu se zhvillimi i futbollit nuk lidhet vetëm me rezultatet sportive, por edhe me ndikimin që sporti ka në edukimin dhe përfshirjen e të rinjve duke vlerësuar gjithashtu rolin e tifozëve shqiptarë, duke i cilësuar ata si një mbështetje të jashtëzakonshme për ekipin Kombëtar.
Rezultatet e ekipit Kombëtar shqiptar, sidomos me kualifikimin në Euro 2016 dhe Euro 2024, qoftë edhe kualifikimin në play-off tani, i ka shërbyer në përgjithësi çështjes Kombëtare shqiptare. Ne mbase kemi pasur nevojë që ta tregojmë veten se kush jemi dhe Kombëtarja na e ka dhënë këtë mundësi. Ajo se çfarë ne duhet të investojmë që të krijojmë kushte sa më të mira kësaj Kombëtare, por edhe futbollit në Shqipëri për të shkuar më lart.
“Padyshim që gjërat në Shqipëri kanë ndryshuar shumë në shumë drejtime. Ne jemi një vend që kemi kaluar një periudhë tranzicioni.
Kemi pasur problematika, apo halle të mëdha dhe sot jemi goxha të zhvilluar dhe mund të mendojmë akoma më shumë për të rritur kualitetin e jetës. Dhe si mund të përmirësohet kualiteti i jetës, një nga mënyrat është sporti, është futbolli.
Të paktën në vizionin tim dhe qëllimi jonë i futbollit nuk është thjeshtë për të bërë rezultat, por për të pasur sa më shumë njerëz që edukohen nëpërmjet sportit. Por që të kesh sa më shumë njerëz duhet të kesh rezultat, prandaj thashë që është një lloj rrethi. Besoj se si Federatë Futbolli kemi bërë goxha për të realizuar këtë objektiv.
Kemi bërë goxha për të pasur një marrëdhënie shumë të mirë me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Sepse ne kemi ekipin Kombëtar sot, dhe jo vetëm ekipin Kombëtar, por ekipet Kombëtare, që luajnë të rinj që mbase janë lindur jashtë Shqipërie. Investimet në vend, investimet në marrëdhënie, investimet në rezultate janë më të duhurat dhe më të domosdoshme për të shkuar më përpara.
Në futboll quhet lojtari i 12-të, kurse në Shqipëri mund të thuash më shumë se sa lojtari i 12-të, sepse aq shumë e mbështesin futbollin në Shqipëri, aq shumë e duan, aq shumë kërkojnë që të ketë rezultat sa vërtetë është më shumë se lojtari i 12-të. Padyshim që ka politika dhe strategji për t’i ofruar sa më shumë.
Fakti që sot në Shqipëri nuk është problem që të kemi njerëz në stadium, të paktën në ekipin Kombëtar, por është problem se si t’i sigurojmë një biletë njerëzve, do të thotë që është bërë një punë e mirë për t’i afruar spektatorët, për të mbështetur kryesisht ekipin Kombëtar.”
Ne kemi shumë ambasadorë në futbollin e luajtur, por ajo se çfarë mund të bëjmë ne duhet që të institucionalizojmë marrëdhënien dhe ta ruajmë, ta organizojmë dhe ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë dhuratë që kemi nëpërmjet futbollistëve gjatë karrierës, qoftë edhe pasi ndërpresin futbollin e luajtur.
Ajo që duhet të bëjmë është që gjërat t’i bëjmë në mënyrë të organizuar dhe ta ngremë sa më mirë imazhin e futbollit dhe nëpërmjet futbollit edhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve.”







