Lamtumira e Lionel Messit nga kombëtarja e Argjentinës ende nuk është bërë zyrtare, por praktikisht është e sigurt se do të ndodhë. Ndoshta do të organizohet një ndeshje lamtumire për të nderuar një nga futbollistët më të mëdhenj në histori, ndoshta pas disa muajsh, por epoka e gjatë e Messit me Albiceleste, e nisur në verën e vitit 2005, po shkon drejt fundit.
Së bashku me të, kombëtares pritet t’i japin lamtumirën edhe disa lojtarë të tjerë si Otamendi dhe Tagliafico, tashmë mbi të 30-at, ashtu si edhe Paredes e De Paul. Edhe tre portierët e ekipit i kanë kaluar të tridhjetat, megjithëse në atë rol karriera zakonisht zgjat më shumë.
Lionel Scaloni do të duhet të ndërtojë një Argjentinë të re. Skuadra ka cilësi dhe në horizont shfaqen disa talente shumë premtuese, por pa Messin do të mungojë fari, drita që për më shumë se dy dekada i ka udhëhequr argjentinasit. Rindërtimi do të kërkojë edhe liderë të rinj.
Mosha mesatare e Argjentinës në Kupën e Botës 2026 ishte mjaft e lartë. Messi ishte 39 vjeç, ndërsa disa lojtarë të tjerë të përmendur më sipër ishin gjithashtu mbi të 30-at. Në total, 17 futbollistë të skuadrës kishin fituar Kupën e Botës në vitin 2022 dhe tentuan ta përsërisnin suksesin, por u ndalën në finale.
Scaloni kishte zgjedhur të mbështetej tek eksperienca. Tani ka ardhur momenti për të hapur një kapitull të ri. Objektivi i ardhshëm është “Copa América” 2028, ku Argjentina do të jetë sërish një nga favoritët, por prova e madhe do të jetë Kupa e Botës 2030. Për të mbërritur gati, puna duhet të nisë që tani.

Pa Messin mbetet për t’u parë nëse dikush do të trashëgojë fanellën me numrin 10, por në sulm figurat kryesore do të jenë Lautaro Martínez dhe Julián Álvarez. Megjithatë, nuk bëhet fjalë vetëm për fanellën apo golat. Bëhet fjalë për një karizëm që është e vështirë të shpjegohet, por që ndihet qartë. Messi ka qenë shumë më tepër sesa një futbollist.
Edhe shiriti i kapitenit do të ketë rëndësi. Kandidatët nuk mungojnë, por favoriti për ta trashëguar atë është mbrojtësi Cristian Romero, i cili mund të udhëheqë në fushë grupin e lojtarëve me përvojë që tashmë do të kenë më shumë përgjegjësi. Dy të rinj duken tashmë gati për të fituar një vend titullari: Valentín Barco, mbrojtësi i krahut i Strasburgut, dhe mbi të gjitha Nico Paz, të cilin Como e bleu përfundimisht nga Real Madridi.
Scaloni do të duhet ta bëjë tranzicionin gradual dhe do të mbështetet edhe tek Alejandro Garnacho, tashmë te Chelsea, i cili prej kohësh konsiderohet një nga talentet më premtues. Gjithashtu, Franco Mastantuono dhe Claudio Echeverri, që tashmë kanë fituar përvojë në futbollin europian, pritet të kenë më shumë hapësira, pasi në repartin ofensiv është liruar një vend i rëndësishëm.
Si mund të luajë Argjentina pa Leo Messin? Nga jashtë, ky grup duket i mbushur me lojtarë cilësorë, të cilët me frymën e duhur dhe bashkimin që e ka karakterizuar gjithmonë Argjentinën, mund të arrijnë rezultate shumë të mira. Në epokën pas Messit, Argjentina mund të rreshtohet me skemën klasike 4-3-3: Emiliano “Dibu” Martínez – Molina, Romero, Senesi (ose Balerdi), Barco – Mac Allister, Enzo Fernández, Nico Paz – Lautaro Martínez, Julián Álvarez dhe Alejandro Garnacho.







