Për të dytin vit radhazi, Juventusi rikthehet në Champions League. Mbrëmë ia doli mes drithërimash, falë fitores 3-2 në stadiumin “Penzo”, ndaj Venezia. Pas ndeshjes, trajneri Igor Tudor doli në konferencë për të analizuar sezonin dhe të ardhmen e klubit bardhezi:
“Djemtë ishin të gatshëm që nga dita e parë, për të punuar mbi ato që iu kërkova. Ne kërkojmë, por janë ata që i fitojnë ndeshjet me cilësinë e tyre. Sot ishte ndeshje shumë e rëndësishme, duke parë çfarë ishte në lojë. Shumë prej tyre patën ngërçe muskulore, por i përgëzoj të gjithë”.
Çfarë mbresash i lë ky sezon ekipit bardhezi?
Përjetuam shumë emocione në pak kohë. Me mënyrën sesi përfundoi, me një ndeshje të çmendur, djemtë e donin me të vërtetë këtë objektiv. Nuk është e lehtë ta përballosh këtë presion. I përgëzoj, ishte jashtëzakonisht e vështirë. Në çdo ndeshje na kanë munguar 1-2 titullarë, mes pezullimeve dhe dëmtimeve. Kemi pasur vështirësi të mëdha. Kjo e bën arritjen edhe më të ëmbël.
Çfarë merr me vete ti si trajner, çfarëdo që të ndodhë?
E pranoj gjithçka. Trajnerët gjithmonë kanë ulje-ngritje. Mundohem të shijoj jo rezultatin, por rrugën që kemi ndërtuar. Është bukur të shohësh se kur provon të arrish diçka, ia del.
A ekziston baza te Juventusi, për të luftuar për titullin? Çfarë mungon?
Mungon formacioni i plotë për shkaqe dëmtimesh apo pezullimesh dhe 2-3 përforcime të sakta, me cilësi, që të sjellin diçka më shumë në ekip. Në këtë mënyrë, mund të luftojmë për titullin.
A do të shkoje në Botërorin e Klubeve vetëm nëse je trajner i konfirmuar i sezonit tjetër?
Nuk kërkoj asgjë, është thjesht një mendim imi, që dua ta sqaroj më herët. Nëse dikush shkon në Botëror, kjo nuk është diçka që një klub, çfarëdo niveli qoftë, mund ta marrë lehtë. Çfarë do të më thoshin lojtarët: Ti për çfarë ke ardhur? Dua të ulemi e ta vendosim më parë.
Një mesazh për tifozët e Juventusit?
Ishin fantastikë, i përshëndeta dhe falënderova. Dua t’ju tregoj fjalët e Gattit në dhomat e zhveshjes: i komplimentoi të gjithë, por u tha që ky duhet të jetë vetëm fillimi. U pajtova me të dhe pati një duartrokitje të madhe.







