Pasi shpalli listën me 25 kuqezinj për dy kualifikueset e fundit në grup, ndaj Andorrës dhe Anglisë, trajneri Sylvinho doli para gazetarëve dhe shpjegoi zgjedhjet e tij. “Lista? Po bëhen 3 vite që jemi këtu dhe po vjen një moment shumë i bukur. Po mbyllet një edicion kualifikues dhe më pëlqen të vij në grumbullimin e fundit në kushte për të konkurruar në ‘play-off’. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme përpara.
Për fat të keq kemi një limit, nuk është se kemi 70-80 lojtarë, monitorojmë 40-45. Bajrami ka bërë një rrugëtim shumë të mirë me ne. Prej 3 vitesh, kush është golashënuesi më i mirë i yni? Është Bajrami me 7 gola, pra duhet të shënojmë. Pastaj Asani me 6 gola, Manaj me 4. Përtej kësaj, Bajrami më jep besim kur del në fushë. E vërtetë është se nuk jam i kënaqur as unë pse nuk po luan me klubin, por duhet të arsyetoj rreth këtyre numrave”.
Mbi kundërshtarin e radhës: “Unë e respektoj shumë Andorrën, herën e fundit ka barazuar në miqësore, ka humbur në shtëpi me Serbinë, por mbajti barazimin një pjesë loje. E pashë ndeshjen, ishte e vështirë dhe Andorra kishte mundësi të qarta për të barazuar. Këto janë ekipe që nuk dorëzohen. Unë e di, edhe lojtarët e dinë se është një ndeshje e vështirë. Andorra luan me zemër e shpirt, mbrohet 90 minuta, jep 100%. Nuk do të jetë e thjeshtë për të fituar. Unë pres ndeshje me intensitet loje, na pret një sfidë e vështirë 100%, ua them të gjithëve”.
Më tej u ndal te Berisha dhe Gripshi: “Medoni po luan më shumë. Sa më shumë luan, aq më mirë për të, për ne, për të gjithë. Ai ka shënuar, bën rolin e organizatorit hibrid, po bën mirë. Jam i lumtur, është lojtar që më pëlqen shumë. E kemi marrë në Europian për të fituar eksperiencë. Herën e fundit, për fat të keq nuk e aktivizova, por nuk do të thotë se nuk më pëlqen. Përkundrazi, më pëlqen shumë. Më pëlqen që del në fushë, luan, vjen këtu me entuziazëm. Sa i përket Gripshit, është një lojtar që më pëlqeu në miqësore. E njihja pak, teknik, inteligjent në fushë. Bën rolin në krah, hyn nga brenda, është teknik dhe shënon. Ndeshjen e fundit e ka luajtur më 26 tetor, prej 15 ditësh është me pushime. Kemi folur me të, i kemi dhënë një plan pune. Këto të dyja janë ndeshje të rëndësishme, ndaj na duhen lojtarë që minimalisht po stërviten”.
Në listë janë dy rikthime, Ismajli dhe Tuci: “Ismajli është kthyer nga dëmtimi, jam i lumtur se po luan. Ai kthehet, është një lojtar tek i cili kemi besim, po bën një rrugëtim me ne prej tri vitesh. Sa i përket Tucit, ka luajtur dy ndeshje me ne në Ligën e Kombeve, me Gjeorgjinë jashtë dhe në shtëpi ndaj Çekisë. Luajti edhe ndaj Ukrainës. Për fat të keq bëri transferim, çka i humbi pak kohë, u pengua edhe nga një dëmtim. Më pëlqen si futbollist, niset si organizator, por mund të bëjë edhe numrin 9. Shënon, është inteligjent, e mendoj si një opsion më shumë në fushë. Na jep mundësi goli, pasi e ka në gjak finalizimin. Më pëlqen edhe në aspektin strategjik për dy ndeshjet e radhës”.

Mbi kriteret për përzgjedhjen e lojtarëve: “Kriteri ka qenë gjithmonë i tillë. Ne nuk grumbullojmë një lojtar që luan me Realin dhe një që nuk luan fare. Unë grumbulloj futbollistë se si më përgjigjen në fushë. Marr shembull Rey Manaj. Në fushën tonë me Serbinë humbi një penalllti dhe të gjithë e konsideruan si lojtar që nuk duhet të grumbullohet, por në Leskovac shënoi dhe na dhuroi 3 pikë të arta. Është lojtar i rëndësishëm dhe mënyra se si përgjigjet secili në fushë më bën t’i grumbulloj”.
A është harruar Arbnor Muja: “Janë dy gjëra të ndryshme, karakteristikat e lojtarit dhe kriteret e përzgjedhjes. Muja është një futbollist që luan si mesfushor, i mirë për ekuilibrin e skuadrës, por nuk ka shumë karakteristika sulmuese. Është shumë inteligjent me topin dhe ka kapacitet për të shënuar në fazën ofensive. Broja dhe Asani e bëjnë shumë mirë lojën në krah. Muja ka karakteristika të një mesfushori që ekuilibron lojën. Kjo përzgjedhje është bazuar mbi karakteristikat e lojtarëve, nevojat për dy ndeshjet e radhës”.








