Sylvinho: “Nuk më interesonte fare rezultati. Nesër kemi stërvitje të fortë”

3 Qershor 2024
23:04
Telesport
back button

Trajneri Silvinjo ka folur pas ndeshjes miqësore të fituar nga Shqipëria me shifrat 3-0 përballë Lihtenshtejnit duke theksuar se sot nuk kishte rëndësi forca e kundërshtarit që ishte përballë. Ai bëri të qartë se për të kishte rëndësi që iu dhanë minuta në fushën e lojës lojtarëve që kishin luajtur më pak në periudhën e fundit.

“Ne kishim 4-5 lojtarë që erdhën në fund, erdhën vetëm 2-3 ditë më parë te ne. Prandaj i lamë të qetë pa ndeshjen, se nuk ishte e nevojshme të rrezikonin. Të tjerët, ishin lojtarë që e nisën që nga fillimi dhe shumë prej tyre kanë luajtur më pak. Ata kanë luajtur sot 60, 70, dikush edhe 90 minuta. Ne na interesonte kjo, përtej kundërshtarit, fitores, golave, ne duhej të shfrytëzonim 90 minuta futboll.

Nesër kemi stërvitje të fortë. Kjo është një periudhë e rëndësishme për ne, në përgatitjet e Europianit është shumë e vështirë, duhet kuptuar lodhja e lojtarëve apo kush ka nevojë për minuta.

Duhet menaxhuar dhe duhet arritur te java e rëndësishme para debutimit në 100%. Nesër kemi stërvitje, do të përgatitemi dhe pastaj përveç stërvitjes është e rëndësishme edhe ndeshja ndaj Azerbajxhanit. Një ndeshje e vështirë, është ekip fizikisht i fortë”, tha Silvinjo në konferencën për mediat.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit