Turneu Masters në Madrid, në fushat me dhè triumfojnë Andrey Rublev dhe Iga Swiatek

5 Maj 2024
21:57
Telesport
back button

Ka përfunduar sot në mbrëmje turneu Masters i Madrid në tenis, turne i fushave me dhè. Tenisti rus Andrey Rublev dhe ajo polake Iga Swiatek, u shpallën fitues në kategoritë përkatëse.

Rublev, numri 8 në botë, mundi 2-1 në finale kanadezin Felix Auger Aliassime, në një ndeshje vendosur pas 3 orësh e 30 minutash lojë (4-6, 7-5, 7-5). Një fitore me përmbysje e Rublev, që fiton për herë të parë në këtë turne.

Një ndeshje me rivalitet, teksa të dy tenistët dueluan fort për fitoren. Aliassime fitoi setin e parë, por nuk arriti ta mbrojë këtë avantazh, ndërkohë që Rublev rriti ndjeshëm nivelin dhe përmbysi shifrat, duke fituar me meritë.

Në finalen e femrave, tenistja polake Iga Swiatek, numri 1 në botë, mundi 2-1 rivalen bjelloruse Aryna Sabalenka, numrin 2. Një ndeshje e jashtëzakonshme, emocionuese dhe me rivalitet, që zgjati 3 orë e 15 minuta.

Në dy nga tri setet e luajtura dhe të fituara nga Swiatek, u deshën pikët shtesë për të nxjerrë fituesen (7-5, 4-6, 7-6). Madje seti final u vendos në “tie break”, teksa të dyja tenistet mund të fitonin takimin dhe trofeun.

Sabalenka pati tri mundësi për ta fituar këtë ndeshje në setin e tretë, por nuk i shfrytëzoi ato. Pas këtij triumfi, polakja rrit edhe më shumë diferencën në renditje ndaj Sabalenka, me më shumë se 3500 pikë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit