Uzuni “shkel gazin”: Objektivat tona? Të mundim Izraelin dhe ta mbyllim grupin në krye

8 Qershor 2022
14:59
Alfred Lleshi
back button

Ashtu si Broja, edhe ai mungoi ndaj Islandës (1-1) për shkak dëmtimi. Bashkë me yllin e Chelsea, në konferencën e sotme për shtyp doli edhe Myrto Uzuni, një duet “përforcues” i kuqezinjve ndaj Izraelit. Më 10 qershor, kujtojmë se do të presim izraelitët në “Arena Kombëtare”, në kuadrin e kualifikueses së dytë të Ligës së Kombeve. Beratasi kuqezi nënvizoi në fjalën e tij për gazetarët:

Gjendja aktuale fizike – “Kam pasur një shqetësim në kavilje që kur isha në Granada dhe e lëndova sërish në stërvitjet me Kombëtaren, por tani ndihem shumë mirë dhe jam në formën time mendoj”.

Çfarë na mungoi në ndeshjen ndaj Islandës – “Normal që të gjithë kërkojmë që të fitojë kombëtarja, por mendoj që çunat kanë bërë një ndeshje shumë të mirë, pasi vlen edhe barazimi me Islandën. Jemi në garë për vendin e parë, që është edhe objektivi ynë”.

Sa e ndjejmë presionin në këtë ndeshje – “Presionin e ndjejmë gjithmonë, pasi nëse nuk ka presion, loja nuk bëhet e bukur. Luajmë në shtëpi, ndaj Izraelit, një ekip që mendoj se është më lart se Islanda, por nëse jemi të bashkuar dhe japim maksimumin, fitorja është e vetmja rrugë për të shkuar drejt objektivit tonë”.

Biseda me trajnerin – “Trajneri pret gjithmonë më të mirën, të ketë lojtarët më të mirë në dispozicion. Siç e thashë edhe më parë, kemi një ekip shumë të mirë, me lojtarë shumë cilësorë. Duhet të jemi të bashkuar dhe të fitojmë ndeshjen e t’iu japim kënaqësi tifozëve tanë, të cilët do të vijnë për të na parë”.

Objektivi për sfidën ndaj Islandës – “Kur luan futboll, gjithmonë shanset janë të mëdha. Kemi ekip me kualitet, të gjithë lojtarët luajnë në ekipe shumë të mira. E rëndësishme është fitorja, ky është objektivi ynë kryesor. E pamë ndeshjen ndaj Islandës, për mua ishte emocion ta shihja nga televizori se sa të isha atje. Tani grupi u plotësua i gjithi, përveç mungesës së Roshit, që ndihet, pasi ka qenë gjithmonë aty për ekipin. Tani mendojmë vetëm për fitore, as barazim, as humbje. Do të hyjmë në fushë me këtë ide”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit