Uzuni trondit me rrëfimin në Spanjë: Qaja i vetëm në banjë, mblidhja ullinj dhe pastroja garazhe. Futbolli më nxori nga skamja

23 Nëntor 2023
11:30
Alfred Lleshi
back button

Nuk ka përkthyes më të saktë apo diplomat më efektiv se topi. Futbolli është burim përparimi dhe shprese. Por Myrto Uzuni, i lindur në Berat (Shqipëri) më 31 maj 1995, ende nuk e njihte fuqinë e këtij sporti, pasi luftonte për mbijetesë në një vend që nuk ishte i tij. Ai ishte vetëm një fëmijë, emigrant ilegal, pa dokumente, në Greqi. “Kemi paguar 20 mijë euro për të kaluar kufirin. Në familje ishim pesë veta, hymë nga një pyll, sepse Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian”, – kujton ai për revistën spanjolle “Panenka”.

Uzuni është një nga ato historitë e kapërcimit që shkëlqen me dritën e vet. Pra, në origjinë kishte errësirë. Mërgimi familjar iu përgjigj kërkimit “për një jetë më të mirë”, por në destinacionin e tyre të ri, futbolli duhej të zinte ndenjësen e pasme. “Ne të gjithë fitonim pak para, por duhej të paguanim energjinë, ujin, qiranë, gjithçka. Futbolli ishte ëndrra ime, por në atë kohë e ndalova stërvitjen”, – pranon shqiptari.

Heqja dorë nga pasioni ishte një goditje që e vuajti në heshtje: “Shumë net kam qarë vetëm, në dhomën time, në banjë, pa më parë njeri. Nuk doja që prindërit e mi të ndiheshin keq”.

Por ai nuk do të dorëzohej: “E gjitha kjo më dha forcë për të qenë lojtari që jam sot. Asnjëherë, kurrë, nuk kam menduar të heq dorë. E dija se kishte vetëm një zgjidhje, dhe ajo ishte e imja, e askujt tjetër. Kjo do të më bënte më të fortë”.

Po si të përparosh në futboll pa e praktikuar atë? Në shtetin grek stërvitej vetëm kur mundej. Puna ishte prioritet, ndonjëherë 14 orë ditë: “Kam punuar kamarier, laja enët, mblidhja ullinj, pastroja shtëpi, garazhe…, të gjitha në të zezë”.

Në një turne, ku ishte golashënuesi më i mirë, e vuri re Olympiacos FC, një nga të mëdhenjtë e futbollit grek. Por ai nuk i kishte letrat në rregull. Pa dokumente qëndrimi, e humbi si mundësi. Babai i tij, papritmas, kuptoi gjithçka.

“Ti je një lojtar i mirë dhe duhet të provosh, – më babi. – Ne u kthyem në Shqipëri”, – pranon Uzuni. Pa shtëpi, pa para… Por Myrto nuk do ta humbiste këtë mundësi, ai nuk do të dorëzohej.

Fillimisht nënshkroi për klubin e tij të lindjes, Tomori. Nuk kaloi shumë kohë që nga rezervisti në ekipin e parë, të shpërthente me gola. E kujton ende pagën e parë: “165 euro në muaj. Të gjitha paratë ua dhashë prindërve të mi, të cilët ishin shumë krenarë dhe të lumtur për mua.”

Ai ndërroi Beratin me Apoloninë, ku arriti titullin e parë si golashënues. Pas dy sezonesh meritore, iu bashkua KF Laçit. Në total, gjashtë vite përparim sportiv dhe ekonomik në atdheun e tij. Familjes më në fund ia lehtësoi vështirësitë. Destinacioni i tij i radhës do të ishte Kroacia, me një përmirësim të dukshëm në pagë.

“NK Lokomotiva nga Zagrebi më nënshkroi dhe për dy vite, bëra ndryshimin në ligën kroate”, – shton Uzuni. Aq sa tërhoqi vëmendjen e GNK Dinamo Zagrebit, ndonëse në fund ishte Ferencváros TC, ai që e bleu: “Më thanë se donin të luanin në Champions League. Ata nuk ishin në gjendje të kualifikoheshin për 30 vite”.

E thënë më shpejt se e bërë. Në klubin historik hungarez shpërtheu si golashënues dhe fitoi titullin e tij të parë, ligën hungareze. Një vit më pas do të bënte debutimin e tij në kompeticionin më të lartë kontinental për klube, një moment historik që do ta sublimonte duke u përballur me referencën e tij absolute, portugezin Cristiano Ronaldo.

Ndodhi në fazën e grupeve, kundër Juventusit në Torino. Pa e menduar, Uzuni u bë i famshëm në botë: “Unë shënova golin e parë të ndeshjes dhe festova tamam si Ronaldo (duke vrapuar, kërcyer dhe bërtitur siuuu).

Në fillim mendoi se ishte një provokim për të, por më pas i thashë që nuk ishte ashtu, se e kisha admiruar gjithmonë. Në fund të lojës, ai e kuptoi në mënyrë të përsosur dhe ne shkëmbyem fanellat. Ishte një ëndërr”.

Një vit më vonë, pasi u bë ylli i ekipit, erdhën disa oferta për të. Ishte merkatoja dimërore 2021-2022, një nga këto propozime i erdhi nga Granada CF. “Nuk u mendova dy herë. FC Kopenhagen më ofroi pothuajse dyfishin e parave, por unë mendoja vetëm për ëndrrën time. Për vite me radhë shikoja Cristiano Ronaldon dhe Messin duke luajtur në La Liga”, – rrëfen ai.

Shqiptari ende nuk e dinte, por në një nga qytetet më të bukura të gjeografisë spanjolle, një klub dhe tifozët prisnin Myrton, që do ta ngrinin më pas në statusin e një idhulli. Në ata muaj të furishëm, në të cilët përshtatja në një nga ligat më të mira në botë u kombinua me urgjencën e ekipit për të shtuar sa më shumë, ai arriti të debutojë si golashënues në kategorinë më të lartë, por rënia shpërtheu si një fantazmë në ditën e fundit të punës.

“Isha katër muaj këtu dhe zbritëm nga kategoria. Klubi kishte probleme, atmosfera nuk ishte e mirë. Por unë jam i fortë dhe mësoj gjithmonë kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç dëshiron”, – i kujton ai fillimet në futbollin spanjoll. Atë verë, vazhdimësia e Uzunit u vu në dyshim, por u tregua besnik: “Unë jam nga ata njerëz që nuk i harroj ata që më ndihmojnë kur nuk kam asgjë. Granada CF kishte përmbushur ëndrrën time dhe unë nuk mund ta braktisja klubin”.

Gjesti i besnikërisë bëri jehonë, por ishin golat e tij që përfunduan duke bindur tifozët. “Atë parasezon iu thashë shokëve të mi se do të shënoja 20 ose 25 gola. Dhe ata m’u përgjigjën si po rrija me ta, se ishte e pamundur, sepse në La Liga mund të luaja me shumë sukses. Gjithmonë kam besuar në cilësinë time”, – arsyeton ai.

Më në fund shënoi 23 gola, shifër me të cilën u bë golashënuesi më i mirë në kategori. Duke u bërë lojtari ekskluziv i klubit, bluza e tij, me ’11’ në anën e pasme, ishte më e shitura. “Të gjithë këtu më duan, është e pabesueshme”, – shpjegon ai i emocionuar.

Një futbollist pasionant që luan me zemër, Uzuni është historia e një lojtari të vetë-bërë. Nga pamundësia për t’u stërvitur deri te luajtja në një ligë të madhe evropiane. Nga detyrimi për të lënë vendin e tij në fëmijëri, për ta mbrojtur atë sa herë që vesh fanellën e kombëtares (kush e di nëse edhe në Europianin e ardhshëm, ku Shqipëria pati një fazë të shkëlqyer kualifikuese).

Futbolli i tij përzien instinktin, përkushtimin dhe karizmën, si kur i kërkoi partneres së tij të martohej me të në “Nuevo Los Cármenes”, në festën e ngjitjes në La Liga. “Ajo ka qenë gjithmonë pranë meje, në kohë të mira dhe të këqija. E meritonte këtë surprizë”, – thotë ai.

Mirënjohja shkon edhe për ndjekësit që e ndalojnë në rrugë apo ndërveprojnë me të përmes rrjeteve sociale. Njerëzit e duan atë. “Në Granada ndihem si në shtëpinë time”, – përfundon ai. Si fëmijë, nuk e kishte gjithmonë të qartë se çfarë ishte.

Marrë nga “Panenka”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit