Veli: Krenare për medaljet, doja edhe rekordin. Më shumë mbështetje nga shteti

30 Maj 2022
10:34
Telesport
back button

Shqipëria siguroi medaljet e para në Europianin e shtangës me Evagjelia Veli, që mori 2 të arta dhe një të argjendtë në peshën 55kg. Peshëngritësja nga Fieri u shpall kampione në shkëputje dhe dygarësh, një rezultat i shkëlqyer, që është frut i një pune të jashtëzakonshme dhe të madhe që Veli ka kryer në këto vite.

Në këtë turne mora pjesë për të thyer rekordin Europian, por ashtu si erdhi gara nuk pata mundësi ta thyeja dot atë, sepse u fokusuam më shumë te medalja se sa te rekordi. Unë doja rekordin, por nuk dëshpërohem pasi do të ketë herë të tjera për ta provuar atë”, tha Veli për mediat pas garës.

Jam e kënaqur që i solla Shqipërisë 3 medalje, shpresoj të jem me këmbë të mbarë për të tjerët. Kam ende rezerva, ndaj mendoj se në të ardhmen mund të synoj më shumë. Nuk ka qenë e lehtë, pasi jam stërvitur fort gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që kam patur edhe një dëmtim në këmbë”, shtoi më tej Evangjelia Veli.

Në fund, ajo bën një apel për më shumë mbështetje nga shteti shqiptar: “Nuk kemi mbështetjen që duhet të kemi dhe kjo gjë mua më lëndon shumë. Kërkojmë mbështetjen financiare që na takon, si mua ashtu dhe trajnerit tim. Ndaj, shpresoj që Shqipëria të na vlerësojë për këto sakrifica që po bëjmë”.

Veli shpalos edhe objektivin e radhës, që është botërori. Ky event ka shumë rëndësi, pasi afron shtangisten me Lojërat Olimpike “Paris 2024”. “Objektivi im i radhës është kampionati botëror, pasi është kualifikues për Olimpiadën e Parisit. Shpresoj të bëj një paraqitje të mirë edhe aty”, tha Veli.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit