Ardhja e Tudor ka dhënë efektin e dëshiruar te Juventusi, si në rezultate, ashtu edhe në qëndrimin e lojtarëve në fushë. Megjithatë, jo të gjithë duken të lumtur. Francisco Conceição është një nga ata që rrezikon të penalizohet nga moduli i ri i bardhezinjve (3-4-2-1), i cili nuk parashikon krahë të mirëfilltë ofensivë.
Në dy ndeshjet e drejtuara nga trajneri kroat, portugezi ka luajtur vetëm 25 minuta (në fitoren kundër Genoa), ndërsa në barazimin me Romën mbeti gjatë gjithë lojës në stol. Pra, vetëm 25 minuta nga 180 të mundshme.
Conceição postoi në Instagram një foto të vetes, ku tregon pjesën e pasme të fanellës së Juventusit, e shoqëruar me një frazë enigmatike: “Një ditë ata do ta kuptojnë…”
Për momentin nuk është e qartë se kujt i drejtohet kjo fjali, por prania e fanellës bardhezi lë të nënkuptohet se ka të bëjë me klubin torinez. E ardhmja e tij është gjithashtu në dyshim. Ai është në huazim nga Porto, me klauzolë blerjeje prej 30 milionë eurosh.
Deri para disa muajsh qëndrimi i tij dukej i sigurt, por tani nuk është më kështu. Portugezi nuk është i vetmi që ka shpërndarë mesazhe të koduara në rrjetet sociale. Edhe Perin, kohët e fundit reagoi në mënyrë indirekte ndaj një interviste të ish-trajnerit Thiago Motta.







